
Platforma “Pasqyra e Çmimeve” ka qenë në qendër të diskutimit në episodin e fundit të podkastit “Flasim”, të kryeministrit Edi Rama, ku janë prezantuar të dhënat e para mbi përdorimin e saj dhe ndikimin e mundshëm në treg.
Drejtuesja e projektit bëri të ditur se, që prej lançimit, platforma ka tërhequr mbi 10 mijë vizitorë unikë, ndërsa numri i përgjithshëm i vizitave në faqe ka kaluar 63 mijë. Sipas saj, përdoruesit qëndrojnë mesatarisht më shumë se tre minuta në platformë dhe shfletojnë rreth pesë faqe gjatë një vizite.
Një nga treguesit kryesorë të prezantuar lidhet me ndryshimin e çmimeve të produkteve. Sipas të dhënave të platformës, gjatë pesë javëve të fundit, 34% e artikujve të monitoruar kanë regjistruar ulje çmimi.
Drejtuesja e projektit theksoi se publikimi dhe krahasimi i çmimeve ka nxitur konkurrencën ndërmjet tregtarëve, të cilët tashmë mund të shohin pozicionimin e tyre në raport me subjektet e tjera.
Ajo tregoi se gjatë komunikimeve me përfaqësuesit e bizneseve, disa tregtarë kanë shprehur interes për të rishikuar çmimet, pasi kanë konstatuar se ofronin produkte më të shtrenjta se konkurrentët.
Sipas saj, kjo transparencë ka ndikuar që një pjesë e tregtarëve të shtojnë numrin e artikujve që ofrohen me çmime më të ulëta.
Ndërkohë, platforma është përmirësuar edhe në aspektin teknologjik, duke përfshirë një funksionalitet të ri që u mundëson qytetarëve të kërkojnë produktet përmes barkodit.
Ky opsion synon ta bëjë më të thjeshtë krahasimin e çmimeve gjatë blerjeve në supermarkete, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të informohen përpara se të zgjedhin produktin.
Drejtuesja e projektit e cilësoi interesin e qytetarëve si një tregues pozitiv, ndërsa theksoi se transparenca e të dhënave mund të ndikojë në forcimin e konkurrencës dhe orientimin e konsumatorëve drejt ofertave më ekonomike..