Prokuroria çon në gjyq këngëtaren e njohur, dyshohet për evazion fiskal

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen Xh.K., e akuzuar për fshehje të të ardhurave më shumë se një herë.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 5824/2024 kanë nxjerrë dyshime të arsyeshme se e pandehura ka shmangur detyrimet tatimore përmes fshehjes së të ardhurave dhe kryerjes së transaksioneve financiare me burime të pajustifikuara.
Nga verifikimet e organit të akuzës rezulton se shtetasja është përfshirë në transaksione me pasuri të paluajtshme me burime financiare të pajustifikuara, si dhe në depozitime dhe tërheqje të konsiderueshme në para cash, të cilat nuk përputhen me të ardhurat e deklaruara.
Gjatë hetimeve, Xh.K. ka pretenduar se të ardhurat e saj janë siguruar nga koncertet brenda dhe jashtë vendit. Për këtë qëllim ajo ka paraqitur dokumentacion shpjegues, por sipas Prokurorisë, këto të ardhura janë justifikuar vetëm pjesërisht.
Nga akti i ekspertimit kontabël ka rezultuar se për vitin 2023 e pandehura ka shmangur detyrime tatimore në vlerën e 2.417.311 lekëve, ndërsa për vitin 2024 shuma e evazionit fiskal të konstatuar arrin në 3.658.210 lekë.
Prokuroria thekson se shmangia e detyrimeve tatimore është kryer në dy vite të ndryshme kalendarike dhe për secilin rast ka pasur fshehje të qëllimshme të të ardhurave, çka sipas hetimit i bën veprat penale të pavarura nga njëra-tjetra.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË
Fshehu të ardhurat më shumë se një herë duke shkaktuar mbi 6 milionë lekë evazion fiskal, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasen Xh.K.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen Xh.K., akuzuar për veprën penale ‘Fshehje e të ardhurave’ konsumuar më shumë se një herë parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimit penal nr.5824/ 2024, në analizë të të gjithë informacioneve, verifikimeve dhe veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se shtetasja Xh.K., është implikuar në kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i K.Penal, pasi rezulton e përfshirë në transaksione me pasuri të paluajtshme me burime të pajustifikuara fondesh, depozitime të konsiderueshme “cash” të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara prej tyre, si dhe tërheqje të konsiderueshme “cash” për të cilat nuk ka informacion mbi mënyrën e përdorimit. Për të justifikuar derdhjet cash shtetasja Xh.K., ka dorëzuar një letër të thjeshtë ku deklaron se ka gjeneruar të ardhura nga koncertet brenda dhe jashtë vendit, por ato justifikohen vetëm pjesërisht.
Nga tërësia e akteve të administruara si dhe referuar aktit të ekspertimit kontabël, provohet se e pandehura Xh.K., për vitin 2023, ka shmangur nga detyrimi tatimor (evazion fiskal) e llogaritur nga eksperti shumën totale 2 417 311 Lek. Ndërsa për vitin 2024, ka shmangur nga detyrimi tatimor të llogaritur nga eksperti shumën totale 3 658 210 Lek.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u provua se nga e pandehura është realizuar shmangia nga detyrimi tatimor në dy vite të ndryshme kalendarike të veçanta, ku secili vit përmban fshehjen e qëllimshme të të ardhurave, e në këto rrethana veprat penale janë kryer të pavarura me njëra-tjetrën.
Sa më sipër në bazë të akteve të administruara dhe te analizuara provohet se shtetasja Xh.K., ka konsumuar veprën penale “Fshehje e të ardhurave” dy herë, parashikuar nga neni 180/1 i K. Penal dhe çështja në ngarkim të saj dërgohet për gjykim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



