
Fshehu të ardhurat më shumë se një herë duke shkaktuar mbi 6 milionë lekë evazion fiskal, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasen Xhensila Kallaku.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen Xhensila Kallaku, akuzuar për veprën penale ‘Fshehje e të ardhurave’ konsumuar më shumë se një herë parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimit penal nr.5824/ 2024, në analizë të të gjithë informacioneve, verifikimeve dhe veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se shtetasja Xh.K., është implikuar në kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i K.Penal, pasi rezulton e përfshirë në transaksione me pasuri të paluajtshme me burime të pajustifikuara fondesh, depozitime të konsiderueshme “cash” të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara prej tyre, si dhe tërheqje të konsiderueshme “cash” për të cilat nuk ka informacion mbi mënyrën e përdorimit. Për të justifikuar derdhjet cash shtetasja Xhensila Kallaku, ka dorëzuar një letër të thjeshtë ku deklaron se ka gjeneruar të ardhura nga koncertet brenda dhe jashtë vendit, por ato justifikohen vetëm pjesërisht.
Nga tërësia e akteve të administruara si dhe referuar aktit të ekspertimit kontabël, provohet se e pandehura Xhensila Kallaku, për vitin 2023, ka shmangur nga detyrimi tatimor (evazion fiskal) e llogaritur nga eksperti shumën totale 2 417 311 Lek. Ndërsa për vitin 2024, ka shmangur nga detyrimi tatimor të llogaritur nga eksperti shumën totale 3 658 210 Lek.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u provua se nga e pandehura është realizuar shmangia nga detyrimi tatimor në dy vite të ndryshme kalendarike të veçanta, ku secili vit përmban fshehjen e qëllimshme të të ardhurave, e në këto rrethana veprat penale janë kryer të pavarura me njëra-tjetrën.
Sa më sipër në bazë të akteve të administruara dhe te analizuara provohet se shtetasja Xhensila Kallaku, ka konsumuar veprën penale “Fshehje e të ardhurave” dy herë, parashikuar nga neni 180/1 i K. Penal dhe çështja në ngarkim të saj dërgohet për gjykim. /Njoftim i Prokurorisë Tiranë/




