
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet ndaj këngëtares Xhensila Myrtezaj, e njohur edhe si Xhensila Kallaku, dhe ka dërguar dosjen e saj në gjykatë për akuzën e fshehjes së të ardhurave.
Sipas organit të akuzës, artistja dyshohet se në disa raste nuk ka deklaruar të plota të ardhurat e përfituara, duke shmangur detyrimet tatimore. Hetuesit kanë evidentuar gjithashtu transaksione financiare, burimi i të cilave dyshohet se nuk është justifikuar me dokumentacionin përkatës.
Gjatë hetimeve, këngëtarja ka deklaruar se të ardhurat e saj janë siguruar nga aktiviteti artistik, përfshirë koncertet dhe performancat muzikore të zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Njoftimi i prokurorisë:
Fshehu të ardhurat më shumë se një herë duke shkaktuar mbi 6 milionë lekë evazion fiskal, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasen Xh.K.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen Xh.K., akuzuar për veprën penale ‘Fshehje e të ardhurave’ konsumuar më shumë se një herë parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimit penal nr.5824/ 2024, në analizë të të gjithë informacioneve, verifikimeve dhe veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se shtetasja Xh.K., është implikuar në kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i K.Penal, pasi rezulton e përfshirë në transaksione me pasuri të paluajtshme me burime të pajustifikuara fondesh, depozitime të konsiderueshme “cash” të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara prej tyre, si dhe tërheqje të konsiderueshme “cash” për të cilat nuk ka informacion mbi mënyrën e përdorimit. Për të justifikuar derdhjet cash shtetasja Xh.K., ka dorëzuar një letër të thjeshtë ku deklaron se ka gjeneruar të ardhura nga koncertet brenda dhe jashtë vendit, por ato justifikohen vetëm pjesërisht.
Nga tërësia e akteve të administruara si dhe referuar aktit të ekspertimit kontabël, provohet se e pandehura Xh.K., për vitin 2023, ka shmangur nga detyrimi tatimor (evazion fiskal) e llogaritur nga eksperti shumën totale 2 417 311 Lek. Ndërsa për vitin 2024, ka shmangur nga detyrimi tatimor të llogaritur nga eksperti shumën totale 3 658 210 Lek.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u provua se nga e pandehura është realizuar shmangia nga detyrimi tatimor në dy vite të ndryshme kalendarike të veçanta, ku secili vit përmban fshehjen e qëllimshme të të ardhurave, e në këto rrethana veprat penale janë kryer të pavarura me njëra-tjetrën.
Sa më sipër në bazë të akteve të administruara dhe te analizuara provohet se shtetasja Xh.K., ka konsumuar veprën penale “Fshehje e të ardhurave” dy herë, parashikuar nga neni 180/1 i K. Penal dhe çështja në ngarkim të saj dërgohet për gjykim.
