Politico: SHBA propozon garanci sigurie për Ukrainën të ngjashme me ato të NATO-s, optimizëm në Evropë për një marrëveshje paqeje Belgjika pritet të përballet me paralizim të transportit ajror dhe atij publik më 23 nëntor, për shkak të një proteste kombëtare të thirrur nga tri sindikatat më të mëdha të vendit.
Në grevë do të marrin pjesë edhe kontrollorët e trafikut ajror, duke sjellë anulimin e shumicës së fluturimeve në aeroportet belge. Ndërkohë, kufizime të ndjeshme priten edhe në shërbimin e autobusëve, tramvajëve dhe metrosë.
Kompania Skeyes, përgjegjëse për kontrollin e trafikut ajror, ka njoftuar se nuk do të mund të garantojë funksionimin normal të shërbimit nga ora 07:00 deri në 21:00. Për këtë arsye, aeroporti i Brukselit ka paralajmëruar anulimin e pjesës më të madhe të fluturimeve, si në nisje, ashtu edhe në mbërritje.
Ndërprerje të operacioneve ka njoftuar edhe aeroporti i Charleroi (Sharlërua). Jashtë kufizimeve do të mbeten vetëm fluturimet e emergjencës dhe ato të domosdoshme për sigurinë.
Vetëm në aeroportin e Brukselit, për këtë datë ishin parashikuar rreth 59 mijë e 500 pasagjerë dhe 429 fluturime, mes tyre 213 nisje dhe 216 mbërritje.
Udhëtarëve u është kërkuar të kontaktojnë kompanitë ajrore për të mësuar nëse fluturimet e tyre do të anulohen dhe për të shqyrtuar mundësitë e ndryshimit të datës së udhëtimit.
Protesta është organizuar nga tri sindikatat ACV, ABVV dhe Synova, të cilat kundërshtojnë masat shtrënguese, si dhe reformat ekonomike e sociale të qeverisë federale, të drejtuar nga kryeministri Bart De Wever (De Uever).
Sipas sindikatave, kjo është protesta e 11-të në rang kombëtar që prej ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale, duke shënuar një tjetër përshkallëzim të kundërshtive ndaj politikave të saj.
Top Channel