Kryegjyshi Botëror Bektashi, Haxhi Edmond Dede Brahimaj, ka marrë pjesë në ceremoninë me rastin e 120-vjetorit të krijimit të Shoqatës “Tomorri”, ku vlerësoi rëndësinë e këtij përvjetori për shoqatën, traditën dhe identitetin shqiptar.
Në fjalën e tij, Kryegjyshi e cilësoi këtë ditë si të shenjtë jo vetëm për shoqatën, por edhe për të gjithë shqiptarët, duke e lidhur atë me gjuhën shqipe, Ditën e Alfabetit dhe dashurinë për atdheun.
Ai u ndal veçanërisht te rëndësia simbolike dhe shpirtërore e malit të Tomorrit, të cilin e cilësoi si vendin e të mirëve dhe një qendër të rëndësishme të besimit. Sipas tij, Shqipëria ka qenë gjithmonë e dashur dhe e ndihmuar nga Zoti, ndërsa përmendi edhe ardhjen e Abas Aliut në Tomorr, si një element të rëndësishëm të traditës bektashiane.
Gjatë fjalës, Haxhi Edmond Dede Brahimaj solli edhe një referencë për Kongresin e Manastirit, duke folur për diskutimet mbi mënyrën e shkrimit të gjuhës shqipe dhe vendimin për alfabetin.
Në përfundim, ai përcolli një mesazh për bashkim, dashuri, paqe dhe mirësi njerëzore, duke theksuar se gjuha shqipe duhet të jetë edhe një mjet për të luftuar veset dhe për t’u bërë njerëz më të mirë për veten, familjen dhe shoqërinë.
“Mirëdita të gjithëve! Jam shumë i gëzuar që marr pjesë në këtë aktivitet të mrekullueshëm të Shoqatës “Tomorri”. Është një ditë e shenjtë jo vetëm për shoqatën, por edhe për të gjithë shqiptarët, për gjuhën tonë të mrekullueshme shqipe. Historinë para meje e bëri, siç e ka përmendur edhe presidenti, edhe ministrja.
Falënderoj doktorët që marrin pjesë sot dhe që dekorohen për veprën e tyre të shenjtë për të shëruar njeriun.
I nderuar president, i nderuar ministër, e nderuar ministre, të nderuar përfaqësues të medias, të dashur vëllezër dhe motra, doktorë, profesorë, akademikë, qofshim me jetë! Zoti ju nderoftë për këtë ditë të shenjtë!
Tomori, siç dihet, është vendi i të mirëve. Kështu quhet, pasi fjala Tomorr përkthehet si vendi i të mirëve. Kështu, edhe ne, të gjithë të mirët, jemi mbledhur për të festuar aktivitetet e mrekullueshme që bën shoqata për njeriun, për vëllazërinë, për dashurinë, për paqen dhe për mirësinë njerëzore.
Edhe Zoti gjithmonë e ka dashur Shqipërinë. Me ardhjen e Abas Aliut në Tomorr, siç thuhet në një shprehje: “Abas Aliu zbriti, erdhi afër nesh, Shqipëria s’mbeti gjë, se Zoti e deshi”. Pra, edhe Zoti i ka ndihmuar shqiptarët në të gjitha kohërat dhe Tomori ka qenë qendra e këtij besimi.
Por sot është edhe dita e shenjtë e gjuhës shqipe. Unë do të tregoj një fragment që ka ndodhur në Kongres. Nuk e di nëse e keni dëgjuar. Për tre ditë me radhë u diskutua se si do të shkruhej gjuha shqipe, nga e djathta në të majtë apo nga e majta në të djathtë. Dhe këtë e vendosi Mitat Frashëri.
Gjuha shqipe shkruhet ashtu siç e thanë të parët tanë, siç e shkroi Skënderbeu. Edhe ne, me fjalët e gjuhës shqipe, luftojmë veset tona, që të jemi njerëz të denjë për veten, për familjen dhe për shoqërinë. Ju falënderoj të gjithëve! Qofshi mirë dhe Zoti na bekoftë të gjithëve!
Faleminderit!
