Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka uruar sot Ditën e Alfabetit, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe vendimit për njësimin e alfabetit shqip.
Në një postim në rrjetet sociale Peleshi thekson se “118 vjet më parë, në Manastir u hodh një hap vendimtar që do t’i jepte identitetit perëndimor të kombit tonë shumëçka nga trajta që ka edhe sot”.
“Shqiptarët vendosën atë ditë, të shkruanin me një alfabet të përbashkët, si të gjithë kombet e qytetëruar të botës moderne. Nga 14 deri më 22 nëntori i vitit 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje e besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali që i bashkonte. Frytin e punës së tyre e kemi sot në duar sa herë shkruajmë e lexojmë shqip me 36 shkronjat e alfabetit tonë”, tha Peleshi.
Peleshi u shpreh se “pamjet që shoqërojnë këtë urim janë një rikthim përmes teknologjisë, frymëzuar nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit”.
Peleshi në urimin e tij përcjell thirrjen për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj.
“Gjuha është identiteti ynë. Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim fëmijëve tanë me krenari”, tha Peleshi.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe shënohet çdo vit më 22 nëntor dhe përkujton Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor 1908. Ky kongres shënoi një moment historik për gjuhën shqipe, pasi solli unifikimin e alfabetit dhe përshtatjen e shkronjave latine për shkrimin e saj.


