Në Akademinë e Shkencave po zhvillohet ceremonia përkujtimore me rastin e 120-vjetorit të krijimit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, një përvjetor që përkon edhe me Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
I pranishëm në aktivitet ishte Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili e cilësoi pjesëmarrjen në këtë përvjetor si një nder, ndërsa ndau edhe një kujtim personal të lidhur me malin e Tomorrit dhe legjendat e tij.
“Është një nder të jem këtu. Jeni të gjithë të njohur me historinë e Tomorrit, por po dekonspiroj pak nga historia ime personale. Jam rritur me legjendat e Shpiragut dhe Tomorrit”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi se Tomorri përfaqëson një ndërthurje të veçantë të natyrës, historisë, besimit dhe identitetit kombëtar, duke mbartur një trashëgimi që është ruajtur dhe përcjellë ndër breza.
“Pak vende në gjeografinë e Shqipërisë kanë peshën që sjell fjala Tomorr. Aty bashkohet madhështia e natyrës, pesha e historisë, besimi dhe rrënjët e një identiteti që është ruajtur në kohë. Në majat e tij, në fshatrat e tij dhe në krahinat përreth ruhen gjurmë të një trashëgimie të pasur që ka frymëzuar breza të tërë dhe ka zënë vend të veçantë në ndërgjegjen tonë kombëtare”, tha Presidenti.
Begaj e cilësoi Tomorrin si malin e legjendave, besimit, këngës, poezisë, mikpritjes dhe qëndresës, duke vlerësuar edhe kontributin e njerëzve të kësaj treve në krijimin e identitetit të saj kulturor.
Presidenti rikujtoi se Shoqata “Tomorri” u themelua në nëntor të vitit 1906, në një periudhë vendimtare të historisë shqiptare, kur atdhetarët po përpiqeshin të realizonin aspiratat për pavarësi dhe të forconin gjuhën, shkollën, kulturën dhe identitetin kombëtar.
Sipas Begajt, përvjetori ka rëndësi jo vetëm për anëtarët që kanë mbajtur gjallë veprimtarinë e shoqatës, por edhe për traditën e shoqërive kulturore dhe patriotike shqiptare, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë kombëtare.
Ai theksoi se përkimet me Ditën e Alfabetit e bëjnë këtë përvjetor edhe më domethënës, pasi shoqata u krijua në një kohë kur shqiptarët po bënin përpjekje të mëdha për gjuhën dhe afirmimin e identitetit të tyre.
Begaj përmendi edhe Kongresin e Manastirit, i cili dy vite pas themelimit të shoqatës, në vitin 1908, vendosi alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe, duke bashkuar atdhetarë nga krahina, besime dhe rryma të ndryshme të mendimit shqiptar.
Në këtë kontekst, ai vlerësoi rolin e shoqatave patriotike, klubeve, shkollave dhe botimeve shqip në krijimin e hapësirave të bashkëpunimit mes shqiptarëve brenda vendit dhe në diasporë.
Në fjalën e tij, Presidenti përmendi edhe figura të rëndësishme të historisë kombëtare, si Fan Noli dhe Mithat Frashëri, të cilët, sipas tij, i dhanë kulturës dhe gjuhës shqipe një vend qendror në veprimtarinë e tyre patriotike.
Begaj vlerësoi veçanërisht kontributin e Nolit në organizimin e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se largësia gjeografike nuk e dobëson lidhjen me atdheun kur ajo mbahet gjallë përmes gjuhës, kulturës dhe ndjenjës së përkatësisë.
Ai kujtoi gjithashtu rolin e Mithat Frashërit, një prej figurave kryesore të Kongresit të Manastirit, në çështjen kombëtare përmes dijes, librit dhe kulturës, duke theksuar se të dy personalitetet kanë qenë pjesë e Shoqatës “Tomorri”.
Begaj vlerësoi veprimtarinë e shoqatës pas rithemelimit të saj, nga studimi i historisë, folklorit dhe etnokulturës, te botimet, veprimtaritë shkencore, trashëgimia natyrore dhe bashkëpunimi me institucionet kulturore e akademike brenda dhe jashtë vendit.
Sipas Presidentit, në një vend me pasuri të madhe krahinore si Shqipëria, shoqata të tilla kanë një rol që shkon përtej ruajtjes së traditave lokale, pasi çdo trevë kontribuon në kulturën e përbashkët me historinë, të folmen, këngën, zakonet dhe mënyrën e saj të veçantë të të parit të botës.
Ai nënvizoi se në një kohë kur shoqëria po ndryshon me shpejtësi dhe shumë të rinj largohen drejt vendeve të tjera, shoqatat kulturore mbeten të rëndësishme për ruajtjen e lidhjeve njerëzore, kujtesës dhe rrënjëve.
“Në një kohë kur shoqëria jonë po ndryshon me shpejtësi, kur shumë të rinj lëvizin drejt vendeve të tjera dhe komunitetet përballen me sfida të reja, shoqatat kulturore kanë një rol të pazëvendësueshëm, sepse ato mbajnë të gjalla lidhjet njerëzore, ruajnë kujtesën dhe i ndihmojnë brezat të njohin rrënjët e tyre”, u shpreh Begaj.
Presidenti theksoi se lidhja me vendlindjen merr kuptimin e saj të plotë kur shndërrohet në kontribut konkret për zhvillimin, përmes dijes, nismave qytetare, projekteve kulturore dhe investimeve.
Në përfundim, Begaj u shpreh i bindur se Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” do të vijojë të jetë një urë e fortë mes brezave dhe mes njerëzve që jetojnë në këtë trevë dhe atyre që kanë ndërtuar jetën në qytete të tjera apo në diasporë.
Ai i bëri thirrje shoqatës t’u japë më shumë hapësirë të rinjve, shkollave, kërkimit shkencor dhe nismave për mbrojtjen e natyrës, duke theksuar se tradita mbetet e gjallë kur brezat e rinj e njohin, e vlerësojnë dhe zgjedhin ta çojnë përpara.
“Tomorri është një trashëgimi që na vjen nga shekujt. Detyra jonë është ta ruajmë me dashuri dhe përgjegjësi dhe t’ua përcjellim brezave që vijnë edhe më të pasur edhe më të mbrojtur. Uroj që Shoqata Atdhetare Kulturore Tomori të vijojë me sukses misionin e saj, duke shndërruar këtë trashëgimi të çmuar në burim frymëzimi për të ardhmen”, përfundoi Presidenti Begaj.
