Një zjarr në bordin e një anijeje mallrash ruse, e cila u godit nga dronë në Detin Baltik, vazhdoi të digjej gjatë gjithë natës, pavarësisht përpjekjeve për të shuar flakët, njoftoi të dielën roja bregdetare finlandeze. Ushtria finlandeze deklaroi se sulmi ndaj anijes "Sparta II" të shtunën ka gjasa të jetë kryer nga Ukraina dhe se anija më pas ka lundruar pa kontroll drejt ujërave finlandeze, ku aktualisht qëndron e ankoruar. 16 anëtarët e ekuipazhit janë evakuuar në një anije tjetër ruse që ndodhej pranë. Pamjet dhe videot e publikuara nga roja bregdetare treguan disa anije që spërkatnin "Sparta II" me topa uji gjatë natës, në përpjekje për të shuar flakët dhe për të ftohur kontejnerët e vendosur në kuvertën e saj. Këtë vit, Ukraina ka dërguar valë dronësh ushtarakë drejt rajonit bregdetar të Leningradit, në veriperëndim të Rusisë; disa prej tyre kanë hyrë gabimisht në hapësirën ajrore të vendeve fqinje baltike, duke ngritur shqetësime se lufta mund të përhapet në territorin e NATO-s. Anija, e cila ishte nisur drejt enklavës ruse të Kaliningradit, u dëmtua në ujëra ndërkombëtare në perëndim të ishullit rus Gogland, njoftuan Forcat e Mbrojtjes të Finlandës, duke konfirmuar kështu versionin e dhënë nga zyrtarët rusë. Komandanti i Marinës Estoneze, Ivo Vark, deklaroi të dielën për transmetuesin publik ERR se nuk mund të përjashtohet rreziku i sulmeve të mëtejshme në Gjirin e Finlandës, një zgjatim i ngushtë i Detit Baltik. Ushtria finlandeze njoftoi javën e kaluar se kishte diktuar një sulm ndaj një anijeje luftarake ruse në të njëjtën zonë, gjatë sulmeve me dronë ukrainas. "Sparta II" është një anije mallrash 121 metra e gjatë, që lundron nën flamurin rus dhe është në pronësi të kompanisë ruse të transportit detar "Oboronlogistika". Sipas të dhënave nga LSEG, anija ishte nisur nga Shën Petersburgu të premten.