Sulm rus me dron në rajonin e Kievit, Zelensky: 14 persona rezultojnë të zhdukur pas sulmit rus me dron

Europë | 6 minuta më parë

Të paktën 14 persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një pallati pesëkatësh në rajonin e Kievit, pasi ndërtesa u godit nga një dron rus në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili njoftoi se një pjesë e godinës u shemb si pasojë e sulmit, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionin e kërkim-shpëtimit në zonën e Dymerit, pranë kryeqytetit ukrainas.

“Një pjesë e një ndërtese pesëkatëshe u shemb pas një sulmi me dron rus. Falënderoj ekipet tona të shpëtimit për mobilizimin e tyre të menjëhershëm. Nëntë persona janë evakuuar tashmë dhe zjarri është vënë nën kontroll. Fatkeqësisht, 14 persona mbeten të zhdukur dhe mund të jenë ende nën rrënoja”, deklaroi Zelensky.

Sipas autoriteteve lokale, nga sulmi janë plagosur dy persona, mes tyre edhe një adoleshent. Ndërkohë, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave të ndërtesës së dëmtuar.

Pamjet e publikuara nga shërbimet e emergjencës tregojnë ekipet e shpëtimit duke kërkuar në masën e madhe të mbetjeve të betonit dhe metalit, ndërsa ndihmojnë banorët të largohen nga godina e dëmtuar përmes shkallëve dhe platformave ngritëse.

Në reagimin e tij, Zelensky deklaroi se gjatë javës së fundit Rusia ka sulmuar rreth 20 rajone të Ukrainës, duke përdorur afërsisht 2.700 dronë, 1.460 bomba ajrore dhe 165 raketa të llojeve të ndryshme.

Presidenti ukrainas përsëriti gjithashtu thirrjen ndaj aleatëve perëndimorë për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit, duke kërkuar përshpejtimin e furnizimit me raketa për sistemet Patriot.

Ndërkohë, një fëmijë mbeti i plagosur edhe në një tjetër sulm rus me bomba të drejtuara ndaj ndërtesave të banimit në rajonin e Zaporizhias, ndërsa luftimet dhe sulmet ajrore vazhdojnë në disa fronte të Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme