Në listën e 10 më të kërkuarve nga FBI, arrestohet bosi meksikan i drogës “Chapo Isidro”

22/11/2026 12:35

Pas një lufte që zgjati disa orë në një lagje të Sinaloas në Meksikë, famëkeqi Meza Flores, ose i quajtur “Chapo Isidro” u arrestua.

Ai është një prej bosëve meksikan të drogës, që renditej në listën e 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja.
“Chapo Isidro” u arrestua së bashku me një nga njerëzit e tij kryesorë nga forcat speciale meksikane në Guasave, në shtetin Sinaloa, të premten, njoftoi Sekretariati i Mbrojtjes i Meksikës.

Meza Flores kërkohej në Meksikë për vepra të lidhura me krimin e organizuar, ndërsa FBI-ja e akuzon se ka “mbushur SHBA-në me fentanil, kokainë, heroinë dhe droga të tjera vdekjeprurëse”. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ekstradimin e tij.

Meksika ka intensifikuar përpjekjet për të luftuar krimin e lidhur me trafikun e drogës, veçanërisht pas presionit të shtuar nga presidenti amerikan Donald Trump që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.

Meza Flores, udhëheqësi i organizatës “Meza Flores”, e njohur edhe si Karteli i Guasaves, besohet se ka qenë aktiv në trafikun e drogës që nga vitet ’90. Megjithatë, ai kishte arritur t’u shmangej autoriteteve për vite me radhë duke mbajtur një profil relativisht të ulët.

Gjatë operacionit të arrestimit pati të shtëna armësh dhe djegie makinash, por në fund Meza Flores u arrestua, pasi mbeti vetëm me krahun e tij të djathtë, ndërsa një pjesë e madhe e njerëzve që punonin për sigurinë e tij e braktisën në momentet e fundit.

Top Channel