Kryebashkiaku Erion Veliaj ka refuzuar t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në këmbë në Spitalin Memorial të Fierit, duke këmbëngulur që operacioni të kryhet në Tiranë.
Ai ka deklaruar se për këtë çështje pret vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), së cilës i është drejtuar të premten.
“Unë i jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në Spitalin Memorial Fier”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj.
Kryebashkiaku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se e ka dërguar në Fier, duke thënë se nuk mund t’i besojë atij jetën e tij për një ndërhyrje nën narkozë.
“Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?”, shprehet Veliaj nëpërmjet një reagimi..
Reagimi:
E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar.
Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?
Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!
Refuzimi i Veliajt për t’u operuar në Spitalin Memorial Fier është konfirmuar edhe nga drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, i cili tha se kryebashkiaku e ka argumentuar vendimin me faktin se “nuk është gati”.
Qalliu pretendon se problemi nuk ka qenë ndërhyrja kirurgjikale, por, sipas tij, zhurma dhe alibia për të ngritur pretendimin se Veliaj nuk po trajtohet siç duhet nga institucionet shtetërore.
“Atëherë, pas kërkimit me ngulm të ndërhyrjes sipas avokatit dhe vetë shtetasit Erion Veliaj, duke u shprehur se po i rëndohej situata shëndetësore, sot, në mënyrë të befasishme dhe plotësisht të qetë, vetë shtetasi Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet pranë Spitalit Memorial Fier për të bërë të mundur ndërhyrjen, duke nënkuptuar se nuk paska qenë problem ndërhyrja, por zhurma dhe alibia për të ngritur pretendimin sikur nuk po trajtohet siç duhet nga instancat shtetërore! Pra, sot, pas një lumi kërkesash nga ana e Erion Veliajt se pse nuk po lejohej të kryhej ndërhyrja, po vetë ai refuzon ta kryejë ndërhyrjen, me motivacionin se nuk është gati!”, thuhet në njoftimin e drejtorit të Burgut të Fierit, Arben Qalliu.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Fierit, ishte planifikuar t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale në këmbë ditën e hënë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se operacioni do të kryhej në Spitalin Memorial të Fierit dhe jo në Tiranë, siç kishte kërkuar kryebashkiaku.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, vendimi ishte marrë pas një konsultimi të zhvilluar më 18 nëntor në burgun e Fierit, gjatë të cilit, sipas institucionit, Veliaj nuk kishte shprehur kundërshtime.
“Gjatë këtij konsultimi, pacienti nuk ka shprehur kundërshtime”, deklaruan Burgjet, duke shtuar se ishte dakordësuar edhe mundësia e pranisë së mjekut të zgjedhur nga Veliaj gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.
Drejtoria e Burgjeve kishte njoftuar se Veliaj duhet të paraqitej në spital të dielën, më 22 nëntor, për konsultat dhe analizat paraprake. Atij, sipas institucionit, i ishte dhënë mundësia që mjeku i zgjedhur prej tij të ishte i pranishëm gjatë përgatitjeve për operacionin më 22 nëntor, gjatë ndërhyrjes më 23 nëntor ose në të dyja ditët.
Veliaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe disa institucione se e kanë penguar prej javësh të kryejë operacionin.
Dy ditë më parë, ai i dërgoi edhe një letër publike Belinda Ballukut, ku me ironi i kërkonte leje për t’u operuar në Tiranë, duke pretenduar se ajo vendoste për gjithçka dhe jo kryeministri Rama.
