Policia ka arrestuar dy persona, të dyshuar për përfshirje në vjedhjen e një banese në lagjen nr. 4 në Durrës, ku janë marrë mijëra euro, para në lekë dhe sende me vlerë të konsiderueshme.
Operacioni policor i koduar “Objektivi” çoi në pranga A. R., 51 vjeç, banues në Durrës, dhe S. L., 24 vjeçe, banuese në Lushnjë.
Sipas hetimeve, 51-vjeçari dyshohet se ka hyrë në banesën e shtetasit A. G., prej nga ka marrë rreth 22 mijë euro, 800 mijë lekë, ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri, parfume, çanta luksoze dhe sende të tjera me vlerë.
Pas grabitjes, ai dyshohet se i ka transportuar sendet e vjedhura në banesën e 24-vjeçares në Lushnjë. Sipas policisë, e reja kishte dijeni për origjinën e tyre dhe ka bashkëpunuar me 51-vjeçarin për fshehjen e sendeve.
Gjatë kontrolleve në banesën e saj, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një pjesë të sendeve të vjedhura. Ndërkohë, në banesën e 51-vjeçarit u sekuestruan disa mjete që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjes, përfshirë maska, çelësa dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për gjetjen e pjesës tjetër të parave dhe sendeve të marra, si dhe për të verifikuar nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë edhe në vjedhje të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.













