Hyundai ka konfirmuar se për momentin nuk ka plane ta kthejë konceptin sportiv N Vision 74 në një model prodhimi, duke shuar kështu shpresat e entuziastëve që prisnin daljen në treg të kësaj veture futuriste.
Në një intervistë për The Drive, Simon Loasby, drejtuesi i Qendrës së Dizajnit te Hyundai, shpjegoi se vendimi lidhet kryesisht me llogaritë ekonomike dhe me vështirësinë për të justifikuar prodhimin e një automjeti të shtrenjtë që do të shitej në numër të kufizuar.
Të lidhura
None found
“Gjithçka përcaktohet nga llogaritë ekonomike dhe nga mënyra se si e vlerëson mundësinë e biznesit. Nëse fokusohesh vetëm te shitjet e atij modeli, gjasat janë shumë të pakta”, deklaroi Loasby.
Koncepti N Vision 74 u prezantua në korrik të vitit 2022 dhe tërhoqi vëmendje të madhe falë dizajnit retro-futurist dhe teknologjisë së avancuar që ofronte.
Vetura kombinonte një bateri elektrike me një sistem qelizash karburanti me hidrogjen, ndërsa dy motorë elektrikë të vendosur në rrotat e pasme prodhonin së bashku 671 kuaj fuqi.
Sipas të dhënave të Hyundai, autonomia e saj arrinte deri në rreth 600 kilometra.
Megjithëse kompania kishte zhvilluar disa prototipa dhe kishte punuar në dizajnin e jashtëm e të brendshëm, projekti nuk arriti të siguronte arsyetimin ekonomik për të kaluar në prodhim.
Më herët ishte përfolur se Hyundai mund të prodhonte vetëm 100 njësi të këtij modeli, por një plan i tillë nuk u realizua kurrë.
Pavarësisht këtij vendimi, N Vision 74 nuk do të harrohet plotësisht. Elementet e dizajnit të tij tashmë po ndikojnë te modelet e reja të Hyundai-t, përfshirë Elantrën dhe versionin e ardhshëm sportiv Elantra N.
Kështu, supervetura që ngjalli interesim të madh te adhuruesit e automobilave do të mbetet një koncept, të paktën për të ardhmen e afërt.








