“E do foshnjën e saj më shumë se mua” – Trump me deklaratë të pazakontë për ish-zëdhënësen e tij

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur fjalë të mira për ish-zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke pranuar se gjetja e një zëvendësueseje të saj është kthyer në një sfidë për administratën amerikane.
Gjatë një interviste për emisionin Saturday in America në Fox News, Trump e cilësoi Leavittin si një bashkëpunëtore të jashtëzakonshme, ndërsa bëri edhe shaka për vendimin e saj që të largohej nga detyra për t'iu përkushtuar familjes.
“Karoline ishte fantastike. Ajo është një problem, një problem i madh, sepse ishte shumë e mirë në punën e saj”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan pranoi se nuk është e lehtë të gjendet dikush që mund ta zëvendësojë ish-zëdhënësen, e cila u largua nga posti në gusht të këtij viti.
“Ne e donim Karolinen. Është paksa e vështirë të mendosh se kush mund ta zëvendësojë”, tha ai.
Trump bëri gjithashtu humor me faktin se Leavitt, nënë e dy fëmijëve, kishte vendosur t'i jepte përparësi familjes.
“Ajo e do foshnjën e saj më shumë se mua. Kjo është diçka e tmerrshme”, tha Trump duke bërë shaka.
Megjithatë, ai vazhdoi ta lavdëronte ish-bashkëpunëtoren, e cila tashmë është angazhuar si kontribuuese në Fox News.
“Ajo do të bëhet yll. Është një person i shkëlqyer”, shtoi presidenti amerikan.
Leavitt, 29-vjeçare, u bë zëdhënësja më e re në historinë e Shtëpisë së Bardhë kur mori detyrën në janar të vitit 2025.
Më 1 maj 2026, ajo solli në jetë fëmijën e saj të dytë, ndërsa disa muaj më vonë vendosi të largohej nga posti për të kaluar më shumë kohë me familjen.
Pas largimit, Leavitt mori një rol këshillues jashtë administratës, krahas angazhimit të saj në televizion.
Ndërkohë, përpjekjet për ta zëvendësuar nuk kanë qenë të lehta. Trump emëroi Katie Zacharian në këtë pozitë, por ajo u largua pas vetëm pesë ditësh.
Presidenti amerikan tha se rreth 100 persona janë të interesuar për postin e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, por pranoi se gjetja e kandidatit të duhur mbetet sfidë. /Telegrafi/

































