GrowthTank 2026: Si po e ndryshon Inteligjenca Artificiale mënyrën e të bërit biznes në Kosovë?
Ndikimi i inteligjencës artificiale në tregtinë elektronike, media dhe agjencitë e marketingut ishte një nga temat e diskutuara në GrowthTank 2026, konferencën që u mbajt më 20 dhe 21 nëntor në AMC Hall në Prishtinë.
Në panelin me temën “How AI is Changing E-Commerce, Media and Agency Work in Kosovo”, Mërgim Cahani nga Gjirafa, Gentian Lluka nga Telegrafi dhe Valon Canhasi nga Hallakate diskutuan se si AI po ndryshon mënyrën e krijimit të përmbajtjes, strukturën e kompanive, proceset e punës dhe aftësitë që kërkohen nga profesionistët.
Gjatë diskutimit u theksua se inteligjenca artificiale tashmë po kryen detyra që më parë kërkonin angazhimin e disa punonjësve, ndërsa bizneset po përballen me nevojën për të përshtatur modelet e tyre të funksionimit.
Valon Canhasi nga Hallakate tha se industria e marketingut është ndër të parat që është prekur nga këto ndryshime, veçanërisht në krijimin e përmbajtjes, menaxhimin e rrjeteve sociale dhe dizajn.
“Industria jonë është e para që e ka prekur AI, domethënë content writing, social media dhe design. Na është dashur të zbulojmë se si të mbetemi konkurrues në treg”, tha Canhasi.
Ai ngriti shqetësimin edhe për të ardhmen e profesionistëve të rinj, duke theksuar se shumë prej detyrave që tradicionalisht u takonin pozitave fillestare tashmë mund të automatizohen.
“Ka me qenë tepër e vështirë me hy në punë si junior dhe me ardhë në një pikë ku mundesh me udhëheqë një klient ose një agjenci, për shkak se një pjesë të madhe të punës e kryen AI”, u shpreh ai.
Sipas Canhasit, automatizimi i analizave të kampanjave, raportimit dhe prodhimit të përmbajtjes po i detyron agjencitë të rishikojnë strukturën e stafit dhe shërbimet që u ofrojnë klientëve.
Një qasje tjetër u prezantua nga Gentian Lluka, i cili tregoi se Telegrafi po e përdor inteligjencën artificiale për të rritur produktivitetin dhe për të zgjeruar aktivitetet, në vend që automatizimi të përkthehet drejtpërdrejt në zvogëlim të stafit.
“Ne kemi një qasje ndryshe me Telegrafin. Po tentojmë që me integrimin e AI-së, stafi të mos zvogëlohet, por të rritet produktiviteti dhe të shtohen projektet”, tha Lluka.
Ai foli edhe për ndryshimet që inteligjenca artificiale po sjell në shpërndarjen dhe përdorimin e përmbajtjes mediatike. Sipas tij, Telegrafi ka implementuar një sistem përmes të cilit kufizon qasjen e agjentëve dhe botëve të AI-së në përmbajtjen e platformës, duke krijuar mundësi për modele të reja licencimi.
“Ne në Telegrafi ka dy muaj që kemi implementuar një sistem i cili vendos paywall për agjentët dhe botët. Vetëm në 30 ditët e fundit janë bërë 6.2 milionë tentativa për të marrë përmbajtje nga Telegrafi”, deklaroi Lluka.
Në këtë drejtim, ai theksoi se po shqyrtohen edhe mundësi të reja të reklamimit dhe shpërndarjes së përmbajtjes përmes agjentëve të inteligjencës artificiale, ndërsa rezultatet e këtyre modeleve pritet të bëhen më të qarta gjatë muajve të ardhshëm.
Ndërkaq, Mërgim Cahani nga Gjirafa theksoi se ndryshimi më i madh nuk lidhet vetëm me automatizimin e detyrave, por edhe me mënyrën se si njerëzit mendojnë, marrin vendime dhe krijojnë vlerë në punën e tyre.
“Kreativiteti dhe mendimi kritik kurrë nuk kanë qenë më të rëndësishëm. AI është një zgjatje e aftësive tona kognitive dhe mendore. AI mund t'i kryejë disa punë, por duhet të dimë edhe çfarë të pyesim”, tha Cahani.
Sipas tij, kompanitë do të kenë gjithnjë e më shumë nevojë për profesionistë që kuptojnë procese të ndryshme të biznesit, në vend të punonjësve të fokusuar vetëm në një detyrë apo specializim. Ai tregoi se Gjirafa tashmë po punon në këtë drejtim, duke përdorur AI për t'u dhënë punonjësve më shumë përgjegjësi në menaxhimin e proceseve dhe zhvillimin e produkteve.
Cahani vlerësoi se, krahas njohurive teknologjike, aftësitë njerëzore do të marrin rëndësi edhe më të madhe, sidomos në një kohë kur përmbajtja mund të gjenerohet në sasi të mëdha përmes inteligjencës artificiale.
“Shkencat sociale, marrëdhëniet njerëzore, empatia dhe besimi do të jenë pjesa më kritike. AI do të marrë shumë punë, por besimi nuk ka me u zëvendësu”, theksoi ai.
Diskutimi përfshiu edhe rolin e sistemit arsimor në përgatitjen e gjeneratave të reja për tregun e punës, ku folësit theksuan rëndësinë e të mësuarit të vazhdueshëm, përshtatjes me teknologjitë e reja dhe zhvillimit të njohurive përtej një profesioni të vetëm.
Paneli nxori në pah tri qasje ndaj transformimit që po sjell AI: ndryshimin e modelit të funksionimit të agjencive, rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e modeleve të reja në media, si dhe zgjerimin e përgjegjësive dhe aftësive të punonjësve në tregtinë digjitale.
GrowthTank 2026, e organizuar nga Growzillas, mblodhi në Prishtinë mbi 15 folës ndërkombëtarë dhe profesionistë të industrisë, me fokus në përdorimin praktik të inteligjencës artificiale në marketing, kreativitet dhe biznes. /Telegrafi/






























