Greqia dhe Izraeli, marrëveshje të reja/Bisedime për armatime dhe sisteme mbrojtjeje me vlerë deri në 1 miliard euro

Botë | 1 minutë më parë

Greqia dhe Izraeli po negociojnë marrëveshje të reja në fushën e mbrojtjes, me një vlerë që mund të arrijë deri në 1 miliard euro. Bashkëpunimi i ri përfshin sistemet e luftës elektronike, raketat me rreze të gjatë veprimi dhe zgjerimin e qendrës së stërvitjes së pilotëve grekë në Kalamata.

Sipas gazetës “Kathimerini”, kjo qendër menaxhohet nga kompania izraelite ELBIT, në bazë të një marrëveshjeje 20-vjeçare të nënshkruar në vitin 2021. Kërkesa për trajnim është rritur ndjeshëm, ndërsa disa vende arabe, mes tyre edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë shprehur interes për të përdorur kapacitetet e saj.

Për këtë arsye, nevojiten më shumë avionë, simulatorë dhe instruktorë, por palët nuk kanë rënë ende dakord për koston e zgjerimit. Athina është e gatshme të paguajë deri në 70 milionë euro, ndërsa propozimi fillestar izraelit arrinte në 280 milionë euro.

Një tjetër pikë e rëndësishme e negociatave janë sistemet e luftës elektronike, përfshirë pajisjet që mund të neutralizojnë kundërmasat e kundërshtarëve. Paralelisht, Greqia po diskuton me kompaninë Israel Aerospace Industries blerjen e raketave LORA, të cilat kanë rreze veprimi deri në 400 kilometra.

Këto bisedime synojnë të forcojnë më tej kapacitetet ushtarake greke dhe vijnë pas marrëveshjes prej 3 miliardë eurosh për projektin e mbrojtjes ajrore “Mburoja e Akilit”, të nënshkruar në gusht 2026. Në kuadër të këtij projekti, Izraeli do të furnizojë Greqinë me sisteme të avancuara kundërajrore dhe kundër raketave balistike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme