Lehtësimi i procedurave për ndërtimin e stallave dhe rritja e mbështetjes për blegtorët ishin në fokus të takimit të Taulant Ballës dhe ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, me fermerë dhe prodhues të qumështit në Tiranë.
Balla kërkoi që procedurat për marrjen e lejeve të ndërtimit të stallave të jenë më të thjeshta se ato për ndërtimin e vilave, duke theksuar nevojën për përgatitjen e sektorit të blegtorisë për konkurrencën e tregut europian.
“Procesi i pajisjes me leje ndërtimi për një stallë duhet të jetë të paktën më i lehtë se procesi i pajisjes me leje ndërtimi për një vilë. Shqipëria në vitin 2030 do të jetë në Bashkimin Europian dhe, për t’i paraprirë konkurrencës së madhe, duhet të fillojmë që tani të përgatitemi, duke rritur standardet”, u shpreh Balla.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mbështetjen financiare prej 120 mijë lekësh për krerë, e parashikuar në buxhet, si dhe për uljen e çmimit të naftës me 320 lekë, që pritet të nisë nga 1 janari.
Balla u ndal edhe te ulja e TVSH-së për produktet ushqimore, përfshirë qumështin, nga 20% në 6%, duke deklaruar se kjo masë do të sjellë për buxhetin e shtetit 150 milionë euro të ardhura të pambledhura.
“Vetëm nga ulja e TVSH-së së ushqimeve, që është për qumështin, nga 20% shkon në 6%. Gjithë totali që qeveria nuk do të mbledhë më është 150 milionë euro”, theksoi ai.
Në bashkëbisedimin me blegtorët dhe prodhuesit e qumështit u trajtuan gjithashtu kërkesat e tyre për zhvillimin e aktivitetit, si dhe nevoja për të rritur standardet dhe përgatitur sektorin për konkurrencën në tregun europian.
