Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka dënuar sulmet dhe kritikat në rrjetet sociale ndaj studentëve, maturantëve dhe të rinjve që morën pjesë në takimin me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se pjesëmarrja në një takim me një autoritet publik nuk mund të konsiderohet akt tradhtie.
Kumbaro e cilëson të papranueshme që të rinjtë të kthehen në shënjestër të sulmeve vetëm sepse kanë zgjedhur të flasin me kryeministrin, të bëjnë pyetje, të shprehin mendimet e tyre, të kritikojnë apo të kërkojnë ndryshime.
Në reagimin e saj, ministrja shprehet e indinjuar për mënyrën se si, sipas saj, të rinjtë po përballen me sulme dhe linçime nga profile anonime në rrjetet sociale.
“Çfarë kohe po jetojmë, kur takimi me një autoritet publik të kthen në të fajshëm?! Fajtor për çfarë?!”, shkruan Kumbaro, duke pyetur se pse një i ri duhet të kthehet në shënjestër vetëm sepse ka guxuar të flasë si njeri i lirë me kryeministrin apo një ministër.
Ajo dënon sulmet ndaj të rinjve që bëjnë pyetje, shprehin mendime, kritikojnë, nuk dakordësohen apo kërkojnë ndryshime, duke i cilësuar autorët e sulmeve si “terroristë të fjalës së lirë”.
“Kush je ti, që i fshehur si cub pas anonimatit të rrjetit, guxon të masakrosh me thikën virtuale individë me emër e mbiemër, të cilët duhet të ndihen të lirë në një shoqëri që Lirinë e Fjalës e ka paguar më shtrenjtë se shumë shoqëri të tjera në Europë?!”, shprehet ministrja.
Kumbaro tregon se ishte e pranishme në takimin me kryeministrin, ku për gati tri orë diskutuan një grup të rinjsh të ftuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.
Sipas saj, në takim kishte studentë, maturantë dhe ish-studentë, të cilët folën lirshëm, bënë pyetje, kritikuan, u ankuan, propozuan dhe kërkuan ndryshime.
“Askush nuk cënoi askënd. Askush nuk detyroi askënd. Të rinjtë folën lirisht. Diskutuam. U dëgjuam. Dhe pikërisht kjo është rruga më demokratike e komunikimit në një shoqëri të lirë: të flasim pa frikë dhe të dëgjojmë pa paragjykim”, thekson Kumbaro.
