Përmbytje masive në Ishujt Galapagos/ Mbi 220 banorë evakuohen nga shtëpitë e tyre, El Niño përkeqëson situatën

22/11/2026 13:27

Reshjet e dendura të shiut, të lidhura me fenomenin klimatik El Niño, kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Ishujt Galapagos të Ekuadorit, duke detyruar të paktën 227 persona të largohen nga banesat e tyre.

Banorët janë detyruar të shpëtojnë çfarë munden nga uji, duke përdorur varka, duke notuar apo duke ecur në ujë deri në bel.

Sipas agjencisë lokale të emergjencave, 227 persona janë evakuuar nga banesat në ishullin Santa Cruz, më i populluari i arkipelagut. Autoritetet kanë shpërndarë ushqime dhe kanë ofruar ndihmë mjekësore për banorët e prekur nga përmbytjet.

Situata është përkeqësuar nga reshjet e vazhdueshme, ndërsa shumë banesa janë mbuluar nga uji. Paula Calderon, një punëtore shtëpiake në Santa Cruz, tregoi për agjencinë AFP se u detyrua të largohej nga shtëpia në orët e para të mëngjesit, pasi zjarrfikësit njoftuan përmes altoparlantëve se evakuimi ishte urgjent.

Ajo tha se kishte humbur pothuajse gjithçka, pasi banesa e saj ishte përmbytur plotësisht.

Edhe 23-vjeçarja Maria Kompos, e cila punon si pastruese, tregoi se uji kishte arritur deri në katin e dytë të ndërtesës trekatëshe ku jetonte.

“Sa kishim filluar nga e para dhe tani duhet të fillojmë përsëri. Është shumë e vështirë të humbasësh sërish atë pak që kishe nisur të rikuperoje”, u shpreh ajo.

Përmbytje të ngjashme u regjistruan edhe në tetor, kur një person humbi jetën dhe mijëra të tjerë u prekën nga reshjet e dendura në këtë arkipelag, i cili ndodhet rreth 1,000 kilometra larg brigjeve të Ekuadorit dhe ka afërsisht 28,500 banorë.

Sipas të dhënave të autoriteteve, që prej 29 gushtit, kur Ekuadori shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të fenomenit El Niño, numri i personave të prekur nga reshjet dhe përmbytjet në Galapagos ka arritur në 7,425.

Ndërkohë, në rang kombëtar, Sekretariati Kombëtar për Menaxhimin e Rrezikut ka raportuar 22 viktima dhe më shumë se 105,947 persona të prekur nga pasojat e motit ekstrem.

Ekspertët paralajmërojnë se fenomeni El Niño që po vazhdon mund të jetë ndër më intensivët e regjistruar ndonjëherë. Ky fenomen shkakton rritjen e temperaturave në disa zona të Oqeanit Paqësor dhe ndryshon modelet e erërave, presionit atmosferik dhe reshjeve, duke sjellë kushte ekstreme të motit në pjesë të ndryshme të botës.

Ishujt Galapagos, të njohur për biodiversitetin e jashtëzakonshëm dhe speciet unike të florës e faunës, janë një rezervë natyrore e biosferës dhe një nga zonat më të rëndësishme për kërkimet shkencore në botë. Përmbytjet e përsëritura po shtojnë shqetësimet për banorët dhe mjedisin e këtij arkipelagu.

Top Channel