Një konflikt mes bashkëshortëve në Libohovë për pak sa nuk përfundoi në tragjedi mbrëmjen e së shtunës. 40-vjeçari Tefik Beqo kërcënoi se do të vriste gruan me armë automatike dhe më pas u largua me makinë, duke qëlluar në ajër.
Burri, kishte precedent të mëparshëm penal. Pas njoftimit për kërcënimin, policia nisi kërkimet dhe negociatat me të, të cilat zgjatën rreth 2 orë e 30 minuta, derisa u bë i mundur arrestimi i tij.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët konstatuan se arma automatike kishte fishekë në folenë e fishekut, si dhe krehërin me municionin përkatës.
Arma dhe municioni u sekuestruan, ndërsa 40-vjeçari u arrestua në flagrancë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Kanosi bashkëshorten se do ta vriste me armë zjarri automatike dhe qëlloi në ajër, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 40-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal.
Pas rreth 2 orësh e 30 minutash negociatash me Policinë, u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij.
Sekuestrohen arma e zjarrit automatike, me fishekë në folenë e fishekut, si dhe krehëri me municionin përkatës.
Pas marrjes së njoftimit se mbrëmjen e djeshme, në Libohovë, një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë punën për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe negociatave të zhvilluara nga shërbimet e Policisë, u finalizua operacioni policor “Reagimi”, si rezultat i të cilit u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit T. B., 40 vjeç, banues në Libohovë, me precedent të mëparshëm penal.
Ky shtetas, pas një konflikti me bashkëshorten e tij, e kishte kanosur se do ta vriste me armë zjarri automatike dhe më pas ishte larguar me automjet, duke qëlluar me armë zjarri në ajër.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, arma e zjarrit automatike u konstatua me fishekë në folenë e fishekut, si dhe me krehërin me municionin përkatës. Arma dhe krehëri me municion u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.










Komente
Komento