“Më prenë një kokë, më dalin 7 të tjera”, Elisa Spiropali reagon ashpër pas përjashtimit nga forumet e PS-së

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 22.11.2026, 13:58

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar me një mesazh të gjatë dhe me tone të forta pas vendimit për përjashtimin e saj nga forumet e Partisë Socialiste. Reagimi vjen një ditë pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së, ku u mor vendimi që Spiropali të mos jetë më pjesë e strukturave drejtuese të partisë.

Përmes një postimi në Facebook, Spiropali shprehet se vendimi nuk e ka lëkundur dhe se nuk ka ndërmend të pendohet, të gjunjëzohet apo të kërkojë mëshirë nga askush. Ajo përdor një krahasim me qeniet mitologjike që, pasi u pritet një kokë, u dalin shtatë të tjera, duke lënë të kuptohet se e konsideron veten të gatshme për të vijuar pavarësisht zhvillimeve politike.

“U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s’më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qeniet mitologjike që po më preve një kokë, më dalin 7 të tjera”, shkruan Spiropali.

Në vijim të reagimit, ish-ministrja shprehet se për të nuk ekziston mëshira, por drejtësia. Ajo përdor edhe metafora të tjera për të përshkruar karakterin dhe qëndrimet e saj, duke u krahasuar me figura si Perandoresha e Kinës dhe Kleopatra, ndërsa kritikon ata që i cilëson si “hajdutë dhe manipulatorë” që paraqiten si liberalë, kozmopolitë dhe europianë.

Spiropali flet gjithashtu për preferencat e saj personale, duke përmendur leximin e librave në letër, ushqimet tradicionale shqiptare dhe lidhjen me vendin. Në pjesën e fundit të mesazhit, ajo deklaron se ka “10 milionë zemra” që ua fal shqiptarëve dhe shprehet se gjithçka e bën për dashurinë ndaj Shqipërisë.

“Unë ngul këmbë si mushka për diçka të drejtë. Jo me javë e me muaj, por deri në fund të frymës, deri matanë jetës e përtej vdekjes”, shkruan ajo në një tjetër pjesë të postimit.

Në fund, Spiropali e minimizon rëndësinë e asaj që ndodhi në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Kjo jam unë. Të tjerat janë llafe kafeneje. Dhe ka që habiten sikur çoç më ndodhi në një mbledhje.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit