Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, u arrestuan në Shkodër dhe Vorë me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Policia njofton se ndaj tyre kanë mbetur pjesë të dënimeve për t’u vuajtur dhe se kanë filluar procedurat për ekstradimin.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimet u kryen në kuadër të fazave të tjera të operacionit të koduar “Fast”, finalizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në bashkëpunim me DVP Shkodër dhe DVP Tiranë. Veprimet u bazuan në kontrolle dhe informacionet e shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, përmes sektorit operativ FAST Albania në Departamentin e Policisë Kriminale.
Gjatë fazës së parë u kap në Shkodër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë shtetasi A. D., i njohur edhe si V. D., 45 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit në Romë e ka dënuar me 7 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim; “Vjedhja me thyerje”, mbetur në tentativë; “Kundërshtimi i punonjësve që kryejnë detyrë publike”; dhe “Dhuna ose kanosja ndaj punonjësit publik”. Nga ky dënim i kanë mbetur për të kryer 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burgim.
Gjatë fazës së dytë u arrestua në Vorë shtetasi B. K., 49 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gjykata e Apelit në Bari e ka dënuar atë me 4 vite burgim për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”. Nga dënimi i kanë mbetur për t’u ekzekutuar 3 vjet, 11 muaj e 3 ditë burgim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e dy të arrestuarve në Itali.
Top Channel
