Të dënuar nga gjykata e Romës, arrestohen në Shkodër dhe Vorë dy persona të shpallur në kërkim

Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër dhe DVP Tiranë.
Kapen në Shkodër dhe në Vorë 2 shtetas në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, si rezultat i kontrolleve dhe i informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, kanë finalizuar 2 faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”.
-Gjatë fazës së parë u kap në Shkodër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi Aldo Doçaj alias Vuksan Daçaj, 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, e ka dënuar me 7 vjet e 11 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me thyerje”, mbetur në tentativë, “Kundërshtimi i punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhuna ose kanosja ndaj punonjësit publik”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burgim.
-Gjatë fazës së dytë u kap në Vorë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi Bukurosh Kuçi, 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Barit, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 3 vjet, 11 muaj e 3 ditë burgim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve në Itali.




