Bota

Fermerët në Libofshë braktisin mbjelljen e grurit, kostot e larta dhe mungesa e tregut i çojnë drejt humbjeve

Libofsha në Fier, një prej zonave që dikur konsiderohej hambari i Myzeqesë, po përballet me tkurrjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Fermerët po heqin dorë gjithnjë e më shumë nga kultivimi i kësaj kulture, ndërsa këtë vit sipërfaqet e mbjella pritet të reduktohen sërish me 10 deri në 15 për qind.

Shkak për këtë situatë janë kostot gjithnjë e më të larta të prodhimit, çmimi i plehrave kimike, mungesa e ujit për vaditje dhe, mbi të gjitha, pasiguria për shitjen e prodhimit. Sipas fermerëve, çmimi me të cilin tregtohet gruri nuk mbulon as shpenzimet e punimit të tokës.

Ata tregojnë se gruri blihet me rreth 22 mijë lekë kuintali, ndërsa vetëm punimi i tokës kushton 15 mijë lekë për dynym dhe frezimi 12 mijë lekë. Në këto kushte, kultivimi i grurit është kthyer në një aktivitet me humbje, duke i detyruar disa prej tyre të punojnë vetëm për të mos i lënë tokat pa mbjellë.

Për një pjesë të fermerëve, situata është bërë aq e vështirë sa kanë vendosur t’i lënë tokat djerrë. Njëri prej tyre tregon se zotëron tre hektarë tokë, por vitin e kaluar nuk e mbolli, pasi prodhimi nuk i siguroi të ardhura. Ai thekson se mungesa e ujit, rritja e çmimit të plehrave kimike dhe mungesa e tregut e bëjnë të pamundur vijimin e aktivitetit bujqësor.

Problematikë mbetet edhe infrastruktura vaditëse dhe kulluese. Fermerët ankohen se nuk kanë ujë për vaditje, ndërsa kanalet janë të mbushura dhe të amortizuara. Gjatë dimrit, kjo situatë shkakton përmbytjen e tokave dhe dëmton prodhimin. Ndërkohë, një pjesë e grurit të korrur vitin e kaluar vijon të jetë ende e pashitur, pasi tregtarët nuk paraqiten për ta blerë.

Përballë këtyre vështirësive, fermerët shprehen se po e shqyrtojnë mundësinë për të mos mbjellë më grurë as këtë sezon. Ata thonë se në zonë kanë mbetur kryesisht të moshuarit dhe se kostot e larta, përfshirë edhe çmimin e farës, nuk u japin mundësi të përballojnë shpenzimet.

Një tjetër shqetësim lidhet me skemën e subvencioneve. Fermerët pretendojnë se nuk arrijnë të përfitojnë rimbursimin prej 10 për qind të faturave, pasi tregtarët e vegjël që blejnë drithin nuk lëshojnë fatura tatimore.

Për këtë arsye, ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit përmes ngritjes së pikave publike të grumbullimit, ku prodhimi të blihet me çmime të përcaktuara dhe fermerëve t’u garantohet një treg i sigurt. Sipas tyre, pa mbështetje konkrete dhe zgjidhje për problemet e vaditjes e të shitjes, kultivimi i grurit në një prej zonave tradicionale bujqësore të Myzeqesë rrezikon të braktiset gjithnjë e më shumë.