Një aktivitet rajonal kushtuar 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës është organizuar këtë te diele në Korçë. Në të prezantohen fotografi, dokumente dhe botime historike që dëshmojnë kontributin e delegatëve korçarë. Ekspozita, e kuruar nga studiuesi dhe koleksionisti Niko Kotherja, përfshin dhe materiale të panjohura më parë, të mbledhura në arkiva, koleksione private dhe familjet e pasardhësve të këtyre personaliteteve.
“Korça ka një përfaqësim të veçantë në Kongresin e Manastirit, me 12 pjesëmarrës nga Qarku i saj. Ekspozita trajton profilet e këtyre personazheve përmes dokumenteve, botimeve dhe imazheve të tyre, ku një pjesë e materialeve janë të panjohura më parë. Çdo pjesë e vogël e këtij pazëlli krijon një histori të tërë.”, tha koleksionisti Niko Kotherja.
Mes figurave të prezantuara është edhe patrioti dhe veprimtari i njohur Mihal Grameno. Një pjesë e trashëgimisë së tij ruhet ende nga familjarët, të cilët kanë përcjellë ndër breza fotografi, libra dhe kujtime familjare.
Lirika Biciolli, e afërme e Gramenos, sjell një histori që dëshmon se atdhetaria ishte pjesë e gjithë familjes. Ajo kujton rrëfimet për nënën e Mihal Gramenos, e cila, në kohën e pushtimit osman, rrezikonte veten për të fshehur armët në shtëpi, duke i mbuluar ato me bukë, për të mos u zbuluar gjatë kontrolleve të ushtarëve turq.
“Na tregonte gjyshi për nënën Alinë, që ishte një grua trime dhe shumë patriote. Kur vinin turqit për të kontrolluar shtëpinë, ajo merrte bukët, vendoste sipër armët dhe i mbulonte me velenxë, duke u thënë: Vazhdoni ju kontrollin, se unë do t'i çoj bukët në furrë. Në këtë mënyrë i shpëtonte armët.”
Por trashëgimia e Mihal Gramenos, sipas familjarëve, nuk lidhet vetëm me kontributin patriotik, por edhe me karakterin njerëzor, mikpritjen dhe dashurinë për atdheun. Për ta, ruajtja e kujtimit të tij është një krenari familjare, ndërsa përkujtimi i figurave të tilla mbetet një mënyrë për të mos shkëputur brezat e rinj nga historia.
“Ndjehemi shumë krenarë që i kemi pasur gjyshin dhe xhaxhallarët. Atdheu është gjëja më e shtrenjtë që duhet të ketë njeriu dhe duhet ta duam, ta mbrojmë dhe ta mbajmë ashtu siç i takon.”
Përmes dokumenteve, fotografive dhe dëshmive familjare, kjo ekspozitë shkon përtej një kujtese historike. Ajo rikthen në vëmendje 12 delegatët korçarë, kontributin e tyre në njësimin e alfabetit shqip dhe rolin që patën në formësimin e identitetit kombëtar.








Komente
Komento