Të paktën 14 persona mund të jenë ende të bllokuar nën rrënojat e një pallati banimi, i cili u godit nga një dron rus mëngjesin e së dielës në rajonin e Kievit, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas Zelensky, një pjesë e një pallati pesëkatësh u shemb pas sulmit me dron. Ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë në vendngjarje, ndërsa nëntë persona janë evakuuar deri më tani dhe zjarri është vënë nën kontroll.
“Një pjesë e një pallati pesëkatësh është shembur pas një sulmi me dron rus. Falënderoj ekipet e emergjencës për reagimin e shpejtë: nëntë persona janë evakuuar tashmë dhe zjarri është vënë nën kontroll”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se dy persona, mes tyre edhe një adoleshent, kanë mbetur të plagosur.
Pamjet e publikuara nga shërbimet e emergjencës tregojnë ekipet e shpëtimit duke kërkuar për të mbijetuar mes një grumbulli të madh rrënojash, ndërsa banorët po evakuohen nga ndërtesa e dëmtuar me ndihmën e shkallëve dhe platformave të vinçave.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë fatin e personave që dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja.
