Gjashtë persona u privuan nga liria, ndërsa janë regjistruar 14 kundërvajtje rrugore gjatë aksionit kontrollues të mbrëmshëm deri në orët e para të mëngjesit në Shkup, kumtuan sot nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në periudhën nga ora 20:00 deri në orën 06:00, nëpunës policorë të SPB Shkup kanë realizuar aksion kontrollues, në bazë të planit të përgatitur paraprakisht për ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të shtuara me qëllim të ruajtjes së gjendjes së favorshme të sigurisë në zonën qendrore të qytetit.


“Gjatë kontrollit janë kryer verifikime të identitetit të 34 personave, janë kontrolluar 25 persona dhe katër automjete. Gjatë kontrollit janë konstatuar 14 kundërvajtje sipas Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, është kryer kontroll në tetë objekte hotelierike dhe klube të lojërave të fatit me automate, janë ndaluar dy shtetas të huaj, ndërsa një person është ndaluar në bazë të nenit 15 të Ligjit për Letërnjoftim. Gjithashtu, dy persona janë privuar nga liria për kryerjen e veprës penale sipas nenit 215 të Kodit Penal, ndërsa një person është privuar nga liria sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Gjatë aksionit, nëpunësit policorë kanë ndërmarrë aktivitete parandaluese përmes pranisë së drejtpërdrejtë, patrullimeve të vazhdueshme dhe ndalimeve të herëpashershme në parkun në Kapishtec, që ndodhet në rrugën „Fronti Popullor“ nr. 66, më pas në bul. „Aradhet Partizane“, pa numër, si dhe pranë këndit të lojërave të quajtur „Qyteti e Drurit“, që ndodhet në rrugën „Slavka Nediq“, për shkak të grumbullimit të përditshëm të personave të mitur në disa prej këtyre lokacioneve”, sqaruan nga MPB-ja.

Kontrolle janë kryer edhe në disa objekte hotelierike, me ç’rast nuk janë konstatuar parregullsi, përkatësisht nuk janë hasur persona të mitur duke konsumuar alkool.

“Aksionet kontrolluese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, shtuan nga MPB-ja.