Negociatat për klimën në Antalia të Turqisë janë përfshirë në një përplasje të fortë mes delegacioneve, duke vënë në pikëpyetje arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në kuadër të samitit COP31. Drafti i propozuar nuk mori miratimin e vendeve pjesëmarrëse, për shkak të mungesës së konsensusit për disa nga çështjet më të rëndësishme.
Presidenti i konferencës, Murat Kurum, konfirmoi se dokumenti nuk u miratua, ndërsa përfaqësuesit e shteteve u rikthyen në tryezën e diskutimeve për të tentuar gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.
Përplasjet janë thelluar veçanërisht mes Bashkimit Evropian dhe vendeve si Arabia Saudite e Rusia, të cilat kanë kundërshtuar disa prej propozimeve të paraqitura. Moska i ka cilësuar negociatat si një proces të ngjashëm me “larjen e gjelbër”, ndërsa tensionet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, kanë ndikuar edhe në atmosferën e samitit.
“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për këtë tekst. Për këtë arsye, vendimet specifike nuk u miratuan”, deklaroi Kurum.
Pavarësisht dështimit të draftit të parë, negociatat vijojnë dhe disa delegacione kanë bërë të ditur se janë të gatshme të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një kompromis. Ishujt Marshall, të cilët gjithashtu kundërshtuan dokumentin, u shprehën se nuk do të tërhiqen nga procesi.
“Ne do të kthehemi dhe do ta vazhdojmë këtë punë. Vetëm së bashku mund ta zgjidhim këtë krizë”, deklaruan përfaqësuesit e tyre.
Kritike ndaj propozimit të fundit është treguar edhe Franca. Ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Monique Barbie, e cilësoi tekstin si një regres, duke vënë në dukje mungesën e angazhimeve të qarta për reduktimin dhe eliminimin gradual të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Sipas saj, dokumenti nuk përmban masa konkrete për largimin nga nafta, gazi dhe qymyri, ndërsa koha për të vepruar kundër krizës klimatike po bëhet gjithnjë e më e kufizuar.
“Unë mendoj se po shkojmë prapa. Sot jam më pesimiste sesa isha dje”, u shpreh ministrja franceze.
Shqetësime për mundësinë e mbylljes së samitit pa një marrëveshje ka ngritur edhe një zyrtar i Bashkimit Evropian, i cili për AFP-në tha se rreziku i dështimit të negociatave është real. Edhe ministri i Mjedisit i Antiguas dhe Barbudës, Michael Joseph, u shpreh i zhgënjyer nga përmbajtja e draftit, por konfirmoi se diskutimet nuk janë ndërprerë.
Pika kryesore e debatit mbetet e ardhmja e karburanteve fosile. Drafti i hartuar nga presidencat turke dhe australiane nuk përfshin një thirrje të drejtpërdrejtë për ndërprerjen e përdorimit të naftës, gazit dhe qymyrit. Ai i referohet në mënyrë të kufizuar angazhimit të arritur në COP28 në Dubai, ku vendet ranë dakord për një tranzicion gradual drejt largimit nga këto burime energjie.
Polemika ka shkaktuar gjithashtu ndarje për shkak të mbështetjes që dokumenti i jep teknologjive të kapjes dhe ruajtjes së karbonit (CCS/CCUS), të cilat favorizohen nga industria e naftës dhe qymyrit.
Me afrimin e fundit të negociatave, delegacionet po përpiqen të kapërcejnë dallimet, por mbetet e pasigurt nëse COP31 do të arrijë të prodhojë një marrëveshje të përbashkët apo do të mbyllet mes mosmarrëveshjeve të thella.
