Protestat në Tiranë vijojnë të shoqërohen me masa ligjore ndaj pjesëmarrësve, por pa arrestime të reja. Policia ka zgjedhur të procedojë protestuesit në gjendje të lirë, përmes referimeve në prokurori dhe gjobave administrative.

Për tubimin e së shtunës, ku u shënuan përplasje me efektivët, 10 persona janë referuar për hetim për veprime të paligjshme, ndërsa 13 të tjerë janë ndëshkuar me gjoba, në zbatim të aktit normativ të 28 tetorit.

Të dhënat zyrtare të Policisë së Tiranës, që prej 18 tetorit, kur protestat u përshkallëzuan në episode dhune, tregojnë se janë arrestuar gjithsej 333 persona për akte të dhunshme dhe sulme ndaj efektivëve. Shumica e tyre janë liruar më pas nga gjykata, duke u vendosur nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Mes të arrestuarve rezultojnë 41 të mitur, ndërsa 518 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Në këtë grup përfshihen edhe 88 të mitur.

Sa i përket ndëshkimeve administrative, që nga hyrja në fuqi e aktit normativ, janë vendosur 338 gjoba për veprime të dhunshme dhe pjesëmarrje të maskuar në protesta. Akti normativ është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese.

Paralelisht, Prokuroria po zhvillon hetime edhe ndaj efektivëve të policisë, të kallëzuar për veprime arbitrare gjatë protestave, ndërsa po shqyrton edhe përgjegjësinë e protestuesve.

Në kuadër të hetimeve, organi i akuzës ka thirrur qytetarë të dëmtuar për të dhënë dëshmitë e tyre. Mes tyre është edhe Erion Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur në sy, i cili pritet të dëshmojë më 25 nëntor.