Një ndërtesë banimi pesëkatëshe në rajonin e Kievit është goditur mëngjesin e sotëm nga një dron rus, duke shkaktuar shembjen e një pjese të saj. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se deri në 14 persona mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja, ndërsa ekipet e emergjencës po vijojnë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Deri më tani, nga ndërtesa janë evakuuar nëntë persona, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mes të lënduarve raportohet edhe një adoleshent.
Goditja shkaktoi gjithashtu një zjarr në ndërtesë, i cili është vënë nën kontroll nga ekipet e ndërhyrjes. Autoritetet po vijojnë kërkimet për të përcaktuar nëse ka persona të tjerë të bllokuar nën pjesët e shembura të pallatit.
Ndërkohë, sulme me dronë janë raportuar edhe në territorin rus. Në rajonin e Krasnodarit, pesë persona kanë mbetur të plagosur nga një sulm me dronë ukrainas.
Katër prej tyre u lënduan në fshatin Afipsky, pranë një rafinerie nafte, e cila është bërë objekt i sulmeve të përsëritura gjatë muajve të fundit.


