FBI-ja po heton një shkelje të mundshme të bazës së saj të të dhënave kriminale, raportojnë mediat amerikane, duke cituar dy persona të informuar për çështjen.
Baza e të dhënave National Crime Information Center (NCIC) përdoret nga autoritetet federale dhe lokale të zbatimit të ligjit për të shkëmbyer informacione mbi urdhër-arrestet dhe verifikimet e të dhënave të personave.
Nuk do të ishte hera e parë që hakerat shënjestrojnë FBI-në, agjencinë amerikane të inteligjencës dhe sigurisë së brendshme. Institucioni nuk iu përgjigj kërkesës së BBC-së për koment.
I pyetur për sulmin e mundshëm gjatë një interviste për Fox News të shtunën, presidenti Donald Trump tha se sapo kishte dëgjuar për incidentin.
“Do të them se nuk është gjë e mirë. Nuk më pëlqen kjo”, u shpreh Trump.
Megjithatë, ai shtoi: “Por ndoshta do të mësojmë gjëra që nuk do t’i kishim mësuar kurrë ndryshe.”
Ky incident i mundshëm vjen pas një serie ndërprerjesh të shërbimeve teknologjike që prekën bankat, kontrollin e trafikut ajror dhe sektorë të tjerë në SHBA javën e kaluar. Zyrtarët kanë deklaruar se ndërprerjet nuk u shkaktuan nga sulme kibernetike, por ato kanë nxitur shqyrtim nga ligjvënësit.
Ndërkohë, këtë javë u shkarkua edhe drejtori i Sigurisë Kibernetike të Shtëpisë së Bardhë, Sean Cairncross, me Trump që deklaroi se ai nuk ishte mjaftueshëm i aftë për detyrën.
Dan Lorhmann, ish-analist i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), i tha BBC-së se të dhënat e NCIC përmbajnë “informacion kritik lidhur me aktivitetin kriminal në mbarë vendin” dhe duhet të mbrohen.
Ai theksoi se agjencitë amerikane të sigurisë, përfshirë FBI-në, kanë “një aftësi të jashtëzakonshme” për të ruajtur informacione të tilla dhe janë “të respektuara në mbarë botën”, por paralajmëroi se niveli i sulmeve kibernetike po rritet globalisht.
“Ka shumë arsye të ndryshme pse po ndodh kjo, por unë kam besim te ekspertët tanë në qeveri”, tha Lorhmann.
Në shtator, FBI-ja njoftoi se po hetonte një sulm të mundshëm nga grupi kriminal kibernetik ShinyHunters, i cili pretendonte se kishte vjedhur informacione të ndjeshme për të gjithë punonjësit e Byrosë, rreth 38 mijë persona.
Pas atij sulmi, një ish-agjent i FBI-së i tha BBC-së se kishte frikë për sigurinë e punonjësve aktualë, pasi të dhënat e tyre personale mund të përfundonin në internet dhe të përdoreshin nga kriminelë apo hakerë të lidhur me shtete armiqësore.
Në një zhvillim tjetër, NBC raportoi për një sulm të mundshëm kibernetik ndaj Departamentit të Bujqësisë të SHBA-së (USDA).
Punonjësit u informuan të enjten se sistemi i pagesave për fermerët ishte shënjestruar nga një sulm, raportoi NBC. Departamenti i Bujqësisë nuk ka bërë ende një koment publik për këtë çështje.
