Prokuroria e Elbasanit dhe AMP aksion në Gramsh, sekuestrojnë kokainë në banesat e dy personave nën arrest shtëpie

22/11/2026 16:33
Foto Ilustruese

Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, kanë ushtruar sot kontrolle në dy banesa në Gramsh.

Kjo pasi, dy banorë në Gramsh, të cilët ndodheshin nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, dyshohet se gjatë kësaj periudhe vijonin aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, për këtë arsye, Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, kanë ushtruar kontrolle në banesat e shtetasve me inicialet T.H. dhe R.H., ku kanë zbuluar dhe sekuestruar rreth 400 gramë kokainë.

Operacioni vijon ende, ndërsa nën hetim janë edhe oficerë të policisë zonale, të dyshuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se nuk kanë kryer kontrollet e duhura për të verifikuar nëse dy shtetasit zbatonin apo jo masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Njëri nga të dyshuarit ka qenë dhe më parë i implikuar në fushën e shpërndarjes së drogës.

Top Channel