Nga momenti i hyrjes në fuqi të Aktit Normativ që parashikon masa ndëshkuese për protestuesit e dhunshëm, të maskuar, që bllokojnë qarkullimin e mjeteve apo që nuk u binden urdhrave të autoriteteve, Policia e Tiranës ka vendosur 338 gjoba, nga 2 deri më 21 nëntor, çdo ditë. Thuajse të gjitha, 335 prej tyre, janë për bllokim të qarkullimit, me vlerën minimale të parashikuar nga ligji, prej 5 mijë lekësh të rinj.
Dallim bëjnë tre raste, kur gjoba e vendosur ka qenë në kufirin maksimal prej 500 mijë lekësh të rinj, secila. Aplikimi i kësaj mase ndëshkuese, parashikohet në rastet e mosbindjes ndaj urdhrave të policisë, maskimit dhe hedhjes së gurëve drejt policëve. Dhe në fakt, 3 të gjobiturit me vlerë maksimale, akuzohen se kanë gjuajtur gurë drejt efektivëve në mënyrë të përsëritur, duke i rrezikuar ata.
Të trija këto gjoba, përfaqësojnë thuajse gjysmën e vlerës totale, që arrin në 3 milionë e 175 mijë lekë të rinj.
Policia, e cila është e ngarkuar për vendosjen e gjobave, i ka aplikuar ato ndaj protestuesve të grumbulluar, kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe te Ministria e Arsimit.
Sipas ligjit, për kundërvajtjet administrative, një person i gjobitur ka afat 10 ditë për të shlyer gjobën. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, ligji e ka të përcaktuar se, për çdo muaj që kalon gjoba rritet me 2% të vlerës, pra nga 5 mijë lekë në muajin e parë shkon 5 mijë e 100 lekë, ose nga 500 mijë lekë, në muajin e parë shkon 510 mijë lekë.
Nëse vazhdon të mos paguhet, Policia e Shtetit mund të nisë procedurën për mbledhjen me forcë të detyrimit, e cila mund të merret nga paga në bankë, dhe nëse është e pamundur shkohet deri sekuestrimi i pasurisë së luajtshme ose të paluajtshme, e cila më vonë shitet në ankand. Një tjetër mundësi është dhe angazhimi i përmbarimit, 40 ditë nga vendosja e gjobës.
Në rast se policia nuk kryen veprime për vjeljen e gjobës së papaguar, atëherë pas 2 vitesh ajo parashkruhet. Sipas ligjit kjo nuk do të thotë se fshihet automatikisht, por organi administrativ duhet të konstatojë parashkrimin me vendim dhe në këtë formë gjoba fshihet. Për mospagesën e një gjoba nuk parashikohet dënim me burg, por vetëm dëm në pasuri.
Ndonëse një pjesë e protestuesve kanë deklaruar se do t’i drejtohen Gjykatës Administrative, deri më tani, nuk rezulton të ketë ndonjë rast ankimimi.
Akti Normativ është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese në 2 padi të ndryshme, nga Partia Demokratike dhe studentët të ndihmuar nga disa shoqata të shoqërisë civile.