Nëse ka një konflikt për të cilin bota ka arritur një lloj konsensusi, ajo është Lufta e Dytë Botërore. Nazistët ishin të këqinjtë. Kjo është pak a shumë e qartë për të gjithë.
Megjithatë, në Shqipëri ka patur vazhdimisht një prirje për ta rivizituar këtë histori në mënyra të tilla që ndonjëherë ngjajnë si përpjekje për të rehabilituar figura që bashkëpunuan me nazistët, apo për të relativizuar pushtimet italiane dhe gjermane e bashkë e me to edhe rezistencën ndaj tyre.
Natyrisht, një rivlerësim historik ka qenë i nevojshëm, nisur nga fakti se për gati gjysmë shekulli, regjimi komunist e shkroi historinë e luftës sipas kushteve të veta, duke fshirë plotësisht kontributet e kundërshtarëve të vet politikë, por edhe duke e përdorur rezistencën antifashiste për të legjitimuar diktaturën e mëvonshme. Megjithatë, korrigjimi i kësaj historie, hera-herës ka nënkuptuar zëvendësimin e një grupi heronjsh dhe tradhëtarësh me një tjetër.
Historiani Marenglen Kasmi thotë se, kur është fjala për L2B, shoqëria shqiptare është sot më e përçarë se sa ishte në vitin 1991, kur ra diktatura. Ai ka shpenzuar vite duke e studiuar këtë periudhë, përfshi edhe përmes arkivave ushtarake gjermane dhe nuk ka shumë durim për disa nga interpretimet që i janë bërë historisë pas viteve 1990-të.
Ai e refuzon kategorikisht përshkrimin e konfliktit mes partizanëve dhe nacionalistëve si luftë civile, ndërsa nxjerr në pah provat rreth bashkëpunimit ushtarak mes forcave nacionalistëve dhe gjermanëve. Ndërsa e pyes se si ishte e mundur që disa nga personalitetet më të arsimuara dhe me më shumë përvojë politike në Shqipërinë e asaj kohe zgjodhën të bashkëpunonin me nazistët, për më tepër në 1943 kur po bëhej e qartë se po e humbnin luftën dhe shkalla e gjenocidit të tyre dihej tashmë, Kasmi thotë se e vetmja arsye është përfitimi politik.
“Sepse është pamendueshme, që mos ta dinte Mit’hat Frashëri apo Bari Omari, apo Lef Nosi, apo Ali Këlcyra, apo Skënder Muço, e mund të rreshtojmë të gjithë me rradhë, që mos ta dinin se në çfarë gjendje ishte Gjermania asokohe dhe sa e rrezikshme ishte që të bëheshe me Gjermaninë asokohe. Se nuk duhet harrojmë një moment kyç që është Karta e Atlantikut e gushtit të ’41-shit, ku praktikisht ishte shkruar shumë qartë që e para nuk njihen ndryshime territoriale të bëra me force nga blloku nazi-fashist. E dyta, thuhet qartë aty që të gjitha zgjidhen mbi parimin e vetvendosjes, se ishte përvoja Luftës së Parë Botërore. Por mbi të gjitha theksohet rruga e drejtë që duhet ndjekur çdo popull që është antifashizmi.”
Flasim gjithashtu për trashëgiminë e ndërlikuar të Mbretit Zog. Si sistemi arsimor i ndërtuar prej tij krijoi kushtet për formimin e një rinie me prirje komuniste; ikjen e tij në momentin e pushtimit dhe llogaritë politike që formësuan të ardhmen e vendit.
Doja ta kisha Kasmin sot në Apostrof sepse debatet tona në lidhje me këtë periudhë tregojnë shumë në lidhje me mënyrën se si e praktikojmë sot politikën dhe sa lehtësisht besnikëritë tona të së tashmes mund të ndikojnë ato që duam të pranojmë ose jo në lidhje me të shkuarën.









