Çfarë zbulon ndjesia sikur po bie në greminë pak para gjumit?!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 22.11.2026, 17:24

A e keni ndjerë ndonjëherë atë tronditje të menjëhershme në çastin që po humbisni vetëdijen drejt gjumit, sikur po rrëshqisni në boshllëk dhe zgjoheni me zemrën që rreh fort? Edhe pse duket e frikshme, ky fenomen njihet si kërcim hipnagogjik (hypnic jerk) dhe një hulumtim i ri tregon se shpesh lidhet me gjendjen tonë emocionale.

Studiues nga Universiteti i Salzburgut në Austri publikuan më 11 nëntor në revistën shkencore PLOS Mental Health një analizë me 194 të rritur nga Austria dhe Gjermania. Pjesëmarrësit u ndanë mes 96 personave që përjetonin këto tronditje të paktën një herë në javë së bashku me shenja të tjera, dhe 98 personave të tjerë në grupin e kontrollit.

Të dhënat treguan se ata që kishin episode të shpeshta raportonin më shumë vështirësi me gjumin, pagjumësi më të shpeshtë dhe nivele më të larta ankthi. Përveç ndjesisë së rënies, disa përshkruan edhe përjetime të tjera të çuditshme në çastet e rënies në gjumë, si: pulsim të shpejtë të zemrës; ndjesi të ngjashme me goditje të lehta elektrike; përshtypje vizive të dritave të forta apo tingujve të papritur.

Sipas autorëve të studimit, këto episode shfaqen më shpesh kur jemi nën presion psikologjik ose kur kemi ngarkesë të madhe emocionale. Kur njeriu fillon të shqetësohet vazhdimisht se nuk do të flejë dot, tensioni shtohet dhe mund të nxisë edhe më shumë zgjime të menjëhershme.

Gjithsesi, shkencëtarët nënvizojnë se nuk është vërtetuar një marrëdhënie shkak-pasojë e njëanshme: ankthi mund ta ushqejë fenomenin, por edhe zgjimet e përsëritura mund ta rrisin pasigurinë dhe lodhjen gjatë natës.

Për shumicën dërrmuese, këto kërcime të papritura janë kalimtare, të padëmshme dhe pjesë e zakonshme e tranzicionit drejt gjumit. Megjithatë, nëse ndodhin aq shpesh sa cenojnë pushimin e përditshëm, një konsultë me një specialist të gjumit është zgjidhja më e sigurt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit