Policët në Francë që përdorin armët e zjarrit gjatë detyrës do të konsiderohen se kanë vepruar në vetëmbrojtje të ligjshme, për sa kohë nuk provohet e kundërta. Këtë parashikon një ligj i ri i miratuar nga Parlamenti francez, i cili ka shkaktuar kundërshtime dhe protesta.

Kritikët e kanë quajtur “leje për të vrarë”, pasi druhen se ndryshimi do ta bëjë më të vështirë hetimin e rasteve kur policia qëllon me armë.

Senati francez e miratoi ligjin të premten, më 20 nëntor, me 205 vota pro dhe 110 kundër, pasi ai kishte marrë miratimin e dhomës së ulët të Parlamentit në korrik.

Ndryshimi kryesor lidhet me mënyrën se si trajtohen policët pas përdorimit të armës. Sipas tekstit të miratuar, kur një punonjës policie qëllon me armë gjatë detyrës, prezumohet se ka vepruar brenda kufijve të ligjit.

Qeveria franceze dhe partia e Marine Le Penit, të cilat e mbështesin këtë masë, argumentojnë se policët nuk duhet të trajtohen automatikisht si të dyshuar sa herë përdorin armën e shërbimit.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, deklaroi se ligji synon t'i japë fund praktikës së ndalimit automatik të policëve dhe xhandarëve pas përdorimit të armës.

Sipas tij, ndryshimi do të shmangë vënien sistematike në dyshim të punës së forcave të sigurisë.

Por kundërshtarët e ligjit paralajmërojnë se kjo mbrojtje mund ta bëjë më të vështirë nxjerrjen para përgjegjësisë të policëve që përdorin forcë të tepruar.

Lidhja Franceze për të Drejtat e Njeriut argumenton se ligji mund të pengojë hapjen e hetimeve në rastet kur policia qëllon ndaj një drejtuesi mjeti që nuk i bindet urdhrit për të ndaluar, apo gjatë ndërhyrjeve për kontrollin e protestave.

Miratimi i tij vjen pas disa javësh protestash të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave akuzat për dhunë policore janë rikthyer në qendër të debatit publik në Francë.

Edhe më herët, kundërshtarët e projektligjit kishin dalë në rrugët e Parisit me pankarta kundër asaj që e cilësojnë “leje për të vrarë”.

Deputetët e majtë kanë njoftuar se do t'i drejtohen Këshillit Kushtetues për të kundërshtuar ligjin dhe për të penguar hyrjen e tij në fuqi.

Debati zhvillohet edhe në një kohë kur kontrollet policore në Francë janë vënë në diskutim për mënyrën se si trajtohen grupe të ndryshme të popullsisë.

Sipas një raporti të publikuar vitin e kaluar nga institucioni francez për mbrojtjen e të drejtave, të rinjtë që perceptohen si arabë, me ngjyrë ose me origjinë nga Afrika e Veriut kanë katër herë më shumë gjasa të ndalohen nga policia sesa pjesa tjetër e popullsisë.