Në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), të mbajtur në Antalya të Turqisë, delegacionet nuk ranë dakord për një deklaratë përfundimtare të përbashkët. Nuk u mor asnjë vendim, tha kryetari i konferencës dhe ministri turk i Mjedisit, . "Është e qartë se ka palë në këtë sallë që e refuzojnë këtë tekst.""Është e qartë që nuk ka konsensus për këtë dokument. "Prandaj këto vendime nuk u miratuan," tha Kurum.
Shenjat e këtij refuzimi ishin bërë të dukshme më herët në mëngjes. BE, Gjermania dhe Franca kishin deklaruar tashmë se nuk do ta miratonin dokumentin.
Ministri federal i Gjermanisë për Mjedisin, Carsten Schneider (SPD), paralajmëroi kundër tërheqjes nga marrëveshjet që tashmë janë arritur. Kjo është "tërësisht e papranueshme", tha ministri gjerman. Edhe pse djegia është kryesisht përgjegjëse për krizën klimatike, eleminimi gradual i karburanteve fosile nuk përmendet drejtpërdrejt në draftin e paraqitur natën duke gdhirë e diela.
Schneider kritikoi vendet prodhuese të naftës për bllokimin e përparimit. Shumica dërrmuese e shteteve janë të përkushtuara ndaj mbrojtjes së klimës, tha ai. "Por disa vazhdojnë të bëjnë shumë para nga nafta dhe gazi dhe nuk janë të gatshëm të reduktojnë konsumimin e tyre në përputhje me rrethanat, as të avancojnë në një itinerar për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë, veçanërisht në këtë fushë."
Unitet evropian
Delegacioni i BE dhe Franca gjithashtu e refuzuan tekstin përfundimtar. "Ne nuk pranojmë një deklaratë përfundimtare që as nuk përmend karburantet fosile," tha Ministri i Klimës i Irlandës, Darragh O'Brien, duke folur në emër të Presidencës së Këshillit të BE-së.
Ministrja franceze e Mjedisit, Monique Barbut, bëri një vërejtje të ngjashme: "Teksti që na është prezantuar nga presidenca këtë të diel në mëngjes është edhe më i dobët se ai i mëparshmi," tha ajo. Një hap i tillë prapa është i papranueshëm. BE-ja dhe aleatët e saj kishin punuar gjatë gjithë natës për të hartuar një kompromis, i cili, megjithatë, u refuzua. "Ndërkohë, temperaturat vazhdojnë të rriten dhe katastrofat po bëhen më të shpeshta," tha Barbut, e zhgënjyer.
Kryetari turk i konferencës ende shpresonte për një kompromis
Në dokumentin dhjetëfaqësh të hartuar nga kryesia e konferencës, i cili u rishikua lehtë pak para seancës plenare, nafta, qymyri dhe gazi nuk përmendeshin shprehimisht; dokumenti përmbante vetëm një referencë të përgjithshme ndaj një vendimi të marrë tashmë në Dubai në vitin 2023, sipas të cilit bota duhet t'i eliminojë gradualisht këto karburante fosile, nxitësit kryesorë të krizës së përshkallëzuar klimatike.
Kryetari turk i konferencës, Murat Kurum, ende shpresonte për një kompromis në minutën e fundit, por kjo shpresë nuk u realizua. Gjatë seancës përmbyllëse plenare, ai tërhoqi tekstin paraprak. Përpara kësaj, ai kishte paralajmëruar për një ngërç afatgjatë në negociatat klimatike të OKB-së./ DW/
© SYRI.net
Studimi: Një vale e të nxehtit mund të jetë më afër nga sa mendohej më parë
Fiji shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore, El Nino po shkakton mungesë të madhe uji, frikë për bujqësinë dhe furnizimin e familjeve
Oqeani Paqësor po ndryshon, rreth 10 lloje peshqish të panjohur shfaqen në brigjet e Kalifornisë, me sy gjigantë dhe...