Krijimi i partisë së re politike “Diaspora për Shqipërinë” dhe mesazhi i saj se vendi është drejtuar nga antishqiptarët gjatë 35 viteve të fundit ka sjellë reagimin e ish-diplomatit Mal Berisha.
Në një replikë në Facebook me themeluesin e kësaj force politike, Alban Kraja, Berisha vë në pikëpyetje përgjithësimin që bëhet për të gjithë ata që kanë drejtuar vendin apo i kanë shërbyer shtetit shqiptar gjatë këtyre tri dekadave e gjysmë.
Duke e sfiduar me një sërë pyetjesh drejtuar Krajës, Mal Berisha kujton edhe kontributin e qeverive që, sipas tij, punuan për integrimin e Shqipërisë në NATO, ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit. “Zotni Kraja, a jam edhe unë vërtet antishqiptar?”, pyet Berisha, duke i kërkuar partisë së re të tregojë se çfarë ofron konkretisht për Shqipërinë, përtej etiketimit dhe zhvlerësimit të gjithçkaje të bërë gjatë 35 viteve të fundit.
Postimi i plotë:
FORMOHET PARTIA E RE POLITIKE “DIASPORA PËR SHQIPËRINË”
Po e ndjek me interes krijimin e Partisë së re “DIASPORA PËR SHQIPËRINË”. Së pari, ju uroj për themelimin e saj.
NJË PYETJE PËR MIKUN TIM ALBAN KRAJA
I nderuar!
Po dëgjoj që, ende pa u krijuar, partia juaj paska këtë devizë:
“Shqipëria është drejtuar nga antishqiptarët këto 35 vjet.”
Prandaj, pas urimit, më lind natyrshëm një pyetje.
A jemi vërtet të gjithë antishqiptarë ne që nuk ishim në atë tubim, por që gjatë këtyre viteve kemi punuar me ndershmëri dhe përkushtim maksimal për Shqipërinë, qoftë në shërbim të shtetit, qoftë në opozitë? Ju lutem, mos na futni të gjithëve në një thes!
Pajtohem me ju se sot ka një agjendë antishqiptare që, sipas gjykimit tim, i shërben shpopullimit të vendit. Shoh edhe nga ata që i quaj Kuislingë të Kohës sonë, sepse i thonë “PO” çdo vendimi të atij që i drejton, që tanimë njihet si kreu i një grupi të strukturuar kriminal dhe themeluesi i Narkoshtetit të parë në Evropë, edhe kur pasojat e këtyre vendimeve i shtyjnë shqiptarët të largohen. Kundërshtimi im ka të bëjë me përgjithësimin që bëni për të gjithë ata që i kanë shërbyer Shqipërisë gjatë këtyre 35 vjetëve.
Nga këta 35 vjet, veçoj 13 vjet kur vendin e drejtuan burra e gra patriotë. Mos harroni se, sa herë që iu dha mundësia ta drejtonin vendin, ata punuan për ta nxjerrë Shqipërinë nga ferri komunist dhe për të rikthyer lirinë e besimit, lirinë e fjalës, të drejtën e pronës, tregun e lirë dhe lirinë e lëvizjes. Në vitet kur vendin e drejtuan këta patriotë, ndër të cilët përfshij edhe veten, Shqipëria u anëtarësua në NATO, ndërtoi Rrugën e Kombit, fitoi një rol strategjik përmes gazsjellësit TAP dhe ndihmoi me çdo mjet për çlirimin e Kosovës dhe për njohjen e shtetit të ri shqiptar në botë, për të përmendur vetëm disa nga arritjet e atyre viteve.
Edhe unë kam qenë pjesë e atyre përpjekjeve. I kam shërbyer shtetit shqiptar katër vjet e gjysmë në Konsullatën e Shqipërisë në Stamboll, dy vjet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe katër vjet në Ambasadën e Shqipërisë në Londër.
ZOTNI KRAJA, A JAM EDHE UNË VËRTET ANTISHQIPTAR?
A mund të më përmendni qoftë edhe një veprim timin gjatë shërbimit ndaj shtetit shqiptar që e përligj këtë etiketë? A mendoni se, po të na quani të gjithëve antishqiptarë, do t’i bindni njerëzit se jeni më patriotë se ne?!
Kur dëgjoj të flitet kështu për Shqipërinë, më vjen ndër mend shprehja turke Arnavut meselesi. Nga mënyra se si e shtroni ju këtë çështje, krijohet përshtypja se mjafton t’i zhvlerësoni përpjekjet e të tjerëve që njerëzit të besojnë se ju mund t’i shërbeni vendit më mirë.
Çfarë i ofroni konkretisht Shqipërisë dhe mbi cilat arritje të këtyre 35 vjetëve do të ndërtoni?
Cili është premtimi juaj për gjërat që do të bëni ndryshe? Nëse nuk keni një agjendë të tillë përveç nihilizmit të çdo gjëje, çfarë do të thoni kur një ditë t’ju vijë radha të qeverisni? Edhe sikur të bëni vepra si ato që bëmë ne patriotët kur na u dha mundësia, çfarë do t’u thoni atyre që, për të ardhur në pushtet dhe sipas së njëjtës logjikë, do t’ju quajnë edhe ju “antishqiptarët” e radhës, ashtu siç po na quani ju sot?!
Me respekt:
Mal Berisha
© SYRI.net
‘Shqiptarët me një qëllim të vetëm, largimin e Ramës’, Çela: Diaspora i sheh me interes zhvillimet në Shqipëri
‘Rama shkatërroi ekonominë dhe konkurrencën’, Himçi: Paketa fiskale, diskriminuese dhe represive për biznesin
VIDEO/ Gazetari gozhdon Ramën: Ke miq kryeministrat, por nuk bën miq shqiptarët…