E diel, 22 Nëntor 2026 Diagnozë deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sport

Kukësi denoncon dhunën në Orikum: Lojtarët tanë u goditën, kemi bërë kallëzim në polici

Futboll Klub Kukësi ka reaguar ashpër pas incidenteve të dhunshme të ndodhura gjatë pushimit të ndeshjes ndaj KF Orikut, duke denoncuar sulmet fizike ndaj futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafit teknik.

Përmes një komunikate zyrtare, klubi verilindor pretendon se në momentin kur skuadrat po drejtoheshin drejt dhomave të zhveshjes, një futbollist i Orikut ka fyer dhe goditur pjesëtarë të stafit të Kukësit. Sipas klubit, situata është përshkallëzuar më pas, pasi në incident janë përfshirë edhe lojtarë të tjerë të ekipit vendas, të cilët dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj futbollistëve të Kukësit, duke u shkaktuar dëmtime.

Përballë kësaj situate, drejtuesit e Kukësit i janë drejtuar zyrtarëve të FSHF-së të pranishëm në ndeshje, delegatit Sabri Kalleshi dhe vëzhguesit Arjan Mali, duke kërkuar shqyrtimin e pamjeve filmike dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Klubi pretendon se, për shkak të dëmtimeve fizike dhe psikologjike të pësuara nga futbollistët, ishte e pamundur që skuadra të rikthehej në fushë dhe të vijonte normalisht takimin.

Reklamë

Megjithatë, sipas Kukësit, zyrtarët e ndeshjes kanë këmbëngulur për rifillimin e lojës, duke paralajmëruar se në rast refuzimi mund të merreshin masa disiplinore ndaj klubit, përfshirë humbjen e ndeshjes në tavolinë.

Në reagimin e tij, FK Kukësi bën të ditur se futbollistët e dëmtuar dhe përfaqësuesit e klubit kanë depozituar kallëzim pranë Stacionit të Policisë Orikum. Gjithashtu, klubi kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave të përfshirë.

Kukësi i ka bërë thirrje edhe organeve kompetente të FSHF-së që të kryejnë një shqyrtim të plotë dhe të paanshëm të incidentit, duke administruar pamjet filmike dhe duke marrë masat disiplinore ndaj personave përgjegjës.

“Dhuna nuk ka vend në futboll. Siguria dhe integriteti fizik i futbollistëve dhe stafit duhet të jenë mbi çdo rezultat sportiv”, përfundon komunikata e klubit verilindor.

Deri në një reagim zyrtar nga KF Oriku dhe organet kompetente, pretendimet e bëra nga Kukësi mbeten në pritje të verifikimit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.