Industria gjermane e automobilave po përballet me vështirësi të mëdha. BMW po shkurton vendet e punës, Volkswagen po shqyrton mbylljen e deri në katër fabrikave, ndërsa Mercedes-Benz ka pezulluar investimet e reja në Gjermani dhe po shqyrton mundësinë e mbylljes së disa uzinave.

Në këtë situatë, Tesla po ndjek një drejtim krejtësisht tjetër.


Kompania amerikane ka njoftuar se do të investojë 3 miliardë euro (3.3 miliardë dollarë) në fabrikën e saj Gigafactory, pranë Berlinit, me synimin për ta shndërruar atë në fabrikën më të madhe të automobilave në Evropë.

Pjesë kryesore e këtij zgjerimi është plani për të prodhuar deri në një milion njësi të modelit autonom Cybercab në vit, në fabrikën e Grünheide.

Tesla synon t'i nisë punimet për zgjerimin në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa prodhimi mund të fillojë që në vitin 2029.

Nëse realizohet ky plan ambicioz, fabrika e Teslas në Gjermani mund të tejkalojë uzinën e Volkswagenit në Wolfsburg, duke u bërë më e madhja në Evropë për nga kapaciteti prodhues.

Sipas Reuters, investimi prej 3 miliardë eurosh do të përdoret për ndërtimin e objekteve të reja dhe një impianti të dytë për trajtimin e ujërave të ndotura. Zgjerimi do të shoqërohet edhe me punësimin e qindra punëtorëve të rinj.

Aktualisht, fabrika e Teslas në Grünheide ka rreth 12.600 punëtorë dhe kapacitet për prodhimin e afërsisht 375 mijë automjeteve në vit.

Ndërkohë, Elon Musk ka plane të mëdha për Cybercab, modelin e ri autonom të kompanisë.

Tesla ka njoftuar se vitin e ardhshëm do të ndërpresë gradualisht prodhimin e Cybertruck, për t'i hapur rrugë modelit të ri.

Kompania ka bërë të ditur gjithashtu se do të nisë të ftojë klientët privatë për blerjen e Cybercab.

Modeli me dy dyer pritet të ketë çmim fillestar prej 29.990 dollarësh, ndërsa funksionimi i sistemit autonom do të kërkojë një abonim mujor prej 299 dollarësh.

Megjithatë, përdorimi i tij do të jetë i kufizuar në zona të caktuara të qyteteve Austin, Dallas, Houston, San Antonio dhe Fort Worth në SHBA. /Telegrafi/