Kryeministri Edi Rama ka vizituar Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip në Manastir të Maqedonisë së Veriut, vendin ku 118 vite më parë u hodhën themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.
Gjatë vizitës, Rama vlerësoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, duke theksuar se ndryshe nga shumë takime historike ku janë vendosur kufij dhe janë marrë vendime për luftëra, në këtë shtëpi shqiptarët u bashkuan për të vendosur se si do të shkruanin dhe komunikonin me njëri-tjetrin.
Kreu i qeverisë veçoi edhe kontributin e Parashqevi Qiriazit, e vetmja grua pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit, duke e cilësuar atë si një frymëzim edhe për hartimin e abetares së përbashkët me Kosovën.
Në fjalën e tij, Rama ngriti shqetësimin për sfidat me të cilat përballet sot gjuha shqipe në epokën e teknologjisë, duke argumentuar se vendet dhe gjuhët e vogla kanë nevojë për projekte afatgjata që garantojnë ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor.
“Në shitoren e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishme janë ulur pas një oxhaku për të vendosur për një luftë për një kufi, derisa këtu në këtë shtëpi 118 vite më parë njerëzit u ulën për të vendosur se si do t’i shkruanin njëri tjetrit nga Manastiri në Shkodër. Mes burrave të këtij Kongresi ishte edhe një grua, Parashqevi Qirjazi që u bë një frymëzim për ne kur bëmë abetearen e përbashkët me Kosovën. Shqipja është në një agresion të madh si të gjithë vendet e vogla në kohën e teknologjisë.
Prandaj unë them se qeveria e Shqipërisë, e Kosovës, dhe të gjitha strukturat dhe institucionet që shqiptarët kanë sot, duhet të shohin më tutje me një projekt afatgjatë për shqipen, mbi themelet që i kemi ndërtuar tashmë. Do të ishte vërtet e pajustifikueshme përballë historisë, që Tirana dhe Prishtina, sot së bashku me të tjerët përreth, në këtë hapësirë ku shqipja gëzon të drejta që nuk i ka pasur më parë, të ndërmerrnin së bashku ndërtimin e një biblioteke të madhe digjitale të hapur për çdo fëmijë dhe mësues në mbarë botën.
Do ishte e mirë që kjo nismë të merrte jetë në një tryezë ku një mësuese nga Tirana, Prishtina, një tjetër nga Ulqini dhe dy të tjera që japin shqip të shtunave në Athinë apo Zyrih, të uleshin dhe të na mësonin se çfarë u ka munguar të hënën e shkuar në klasë. Dhe patjetër që do të mësojmë më shumë prej tyre sesa në mbledhje. Edhe në Shqipëri është një festë zyrtare dhe është bukur që kanë kalendarin në një ditë për nder të Alfabetit”, tha ndër të tjera Rama.
Lajm ne perditesim...

Foto: Kryeministri Edi Rama në Manastir
Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Manastir, me rastin e 100-vjetorit të hapjes së saj.
Në ceremoni përshëndeti Konsulli i Nderit, Imer Selmani, i cili vlerësoi rëndësinë historike të Manastirit si qytet i alfabetit shqip, i Rilindjes Kombëtare dhe i diplomacisë shqiptare.
Selmani theksoi se kjo pllakë përkujtimore përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe diplomatike, duke nënvizuar nevojën për ruajtjen dhe përcjelljen e saj te brezat e ardhshëm.
“Ju falënderoj që keni vizituar Manastirin, si fole e Rilindjes sonë Kombëtare, e Abetares dhe e diplomacisë. Ndaj, shfrytëzoj rastin e sotëm për t’ju përshëndetur në emrin tim dhe në emër të shqiptarëve. Është një privilegj i veçantë që sot të shpalosim pllakën përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të Konventës Konsullore të vitit 1926 dhe të rikujtojmë se Manastiri zë një vend të veçantë në historinë tonë kombëtare, si qyteti i alfabetit shqip, i Rilindjes, i dijes dhe i diplomacisë. Me të gjitha këto atribute, Manastiri dhe shqiptarët e tij kanë kontribuar në formësimin e identitetit tonë kombëtar”, tha ai.
Ai falënderoi kryeministrin Rama për praninë, duke e cilësuar atë si një shenjë respekti ndaj historisë kombëtare dhe si një mundësi për forcimin e urave të bashkëpunimit dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“I nderuar Kryeministër, prania juaj sot i jep një rëndësi të veçantë kësaj ceremonie dhe dëshmon respektin ndaj trashëgimisë sonë historike dhe diplomatike. Si Konsull Nderi, e konsideroj këtë trashëgimi një përgjegjësi dhe një frymëzim për të vazhduar ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të miqësisë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Le të mbetet kjo pllakë një dëshmi e përhershme e historisë sonë dhe një mesazh për brezat që vijnë: të ruajmë, të nderojmë dhe të përcjellim me krenari trashëgiminë tonë”, tha Selmani.

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të “udhëtojë” pas në kohë, në një nga momentet e rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe, për të uruar Ditën e Alfabetit, që kremtohet sot, më 22 nëntor.
Përmes inteligjencës artificiale, ai ka përpunuar fotografinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, jo vetëm duke i dhënë ngjyra por edhe vendosur edhe veten mes rilindasve të komisionit që u ngarkua me çështjen e alfabetit shqip.
“Në shtëpinë e Kongresit të Manastirit”, ka shkruar Rama në postimin e tij, duke e shoqëruar mbishkrimin me një emoji.
Fotografia e zgjedhur nga kryeministri na kthen në nëntorin e vitit 1908, kur përfaqësues shqiptarë nga qytete dhe shoqëri të ndryshme u mblodhën në Manastir për të vendosur se me cilin alfabet do të shkruhej gjuha shqipe.
Më 14 nëntor 1908, në ndërtesën ku ndodhej selia e klubit “Bashkimi”, nisi Kongresi i Manastirit. Për nëntë ditë, 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri shqiptare, u mblodhën për të diskutuar njësimin e alfabetit. Punimet drejtoheshin nga Mithat Frashëri, me nënkryetarë Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin.
Një nga momentet kryesore të Kongresit ishte 16 nëntori, kur u zgjodh një komision prej 11 anëtarësh, me në krye Atë Gjergj Fishtën. Mes tyre ishin Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda, Mithat Frashëri dhe figura të tjera të njohura të kohës. Pikërisht anëtarët e këtij komisioni shfaqen në fotografinë historike që Rama ka zgjedhur të përpunojë me inteligjencë artificiale.
Më 20 nëntor, komisioni paraqiti vendimin për alfabetin e gjuhës shqipe, i cili mori miratimin e të gjithë delegatëve të pranishëm. Kongresi përfundoi më 22 nëntor 1908, datë që sot kremtohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor inteligjencën artificiale për të “udhëtuar” në të kaluarën dhe për t'u shfaqur përkrah figurave historike shqiptare. Më herët, ai ka publikuar edhe një fotografi të përpunuar ku shfaqej përkrah Ismail Qemalit.






Komente
Komento