Vendosni fjalën kyçe....

Netanayahu e Eisenkot pa marrëveshje pas 4 orësh bisedime


Ekipet negociuese që përfaqësojnë partinë Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe partinë Yashar të liderit të opozitës Gadi Eisenkot, ranë dakord të dielën të zhvillojnë një tjetër raund bisedimesh për krijimin e një koalicioni, pavarësisht se përfunduan një takim që zgjati më shumë se katër orë pa arritur marrëveshje konkrete për çështjet kryesore që pengojnë formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.

Diskutimet, të zhvilluara në hotelin Dan Accadia në Herzliya, pranë Tel Avivit, nxorën në pah mosmarrëveshjet e vazhdueshme lidhur me atë se kush do të marrë fillimisht postin e kryeministrit, nëse ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, do t’i bashkohet koalicionit dhe mënyrën se si do të ngrihet një komision zyrtar hetimor për sulmet e 7 tetorit.

Në ekipin negociues të Likud-it bënin pjesë kryetari i grupit parlamentar të partisë, Ofir Katz, dhe avokati Michael Rabilo, të cilët përfaqësonin partinë e Netanyahut. Ndërsa partia Yashar e Eisenkot përfaqësohej nga deputeti Chilli Tropper, së bashku me këshilltarët Yoav Horowitz dhe Guy Gutman.

Të dy delegacionet deklaruan se ishin paraqitur në takim me vullnet të mirë për të negociuar, por asnjëri prej tyre nuk raportoi ndonjë përparim konkret.

Kush do bëhet kryeministër dhe çfarë do ndodhë me Ben-Gvir?

Një nga pengesat më të rëndësishme është kërkesa e Netanyahut për të qenë i pari që do të mbajë postin e kryeministrit, në kuadër të çdo marrëveshjeje për rotacionin e këtij posti mes dy kampeve rivale politike.

Likud këmbëngul se Netanyahu duhet të drejtojë qeverinë në fillim të mandatit të saj, një kusht që kundërshtohet kategorikisht nga blloku opozitar, i cili synon ta zëvendësojë atë.

Pavarësisht rëndësisë së kësaj çështjeje, ekipet negociuese nuk e diskutuan në thellësi gjatë takimit të së dielës mundësinë e një rotacioni në postin e kryeministrit mes Netanyahut dhe Eisenkot.

Një tjetër mosmarrëveshje e rëndësishme lidhet me përfshirjen e Ben-Gvir në një qeveri të ardhshme të unitetit. Likud kërkon që ministri i Sigurisë Kombëtare të jetë pjesë e koalicionit, ndërsa partia e Eisenkot këmbëngul që ai të mbetet jashtë tij. Për këtë çështje nuk u arrit asnjë marrëveshje.

Palët diskutuan gjithashtu krijimin e një komisioni hetimor për të shqyrtuar sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023 dhe dështimet që i paraprinë dhe i shoqëruan ato.

Ato ranë dakord që, nëse negociatat për formimin e një qeverie të unitetit do të përparojnë, do të hartojnë një propozim që përcakton mandatin e komisionit, përfshirë çështjet që do të hetojë dhe periudhën kohore që do të mbulojë hetimi.

Megjithatë, një mosmarrëveshje thelbësore mbetet lidhur me atë se kush do të emërojë anëtarët e komisionit. Kjo është një çështje politikisht e ndjeshme, duke pasur parasysh mundësinë që hetimi të vërë nën shqyrtim vendimet e marra gjatë drejtimit të qeverisë nga Netanyahu.

Ekipi negociues i Likud-it argumentoi se kjo mosmarrëveshje mund të zgjidhet, duke deklaruar se do të “mendojnë jashtë kornizave të zakonshme” për të gjetur një kompromis.

Një tjetër çështje e debatueshme është shërbimi ushtarak i studentëve ultraortodoksë të yeshivave. Përfaqësuesit e Likud-it këmbëngulën se liderët politikë ultraortodoksë duhet të marrin pjesë drejtpërdrejt në negociatat për rekrutimin ushtarak, duke deklaruar se “haredimët duhet të jenë të pranishëm në tryezën e negociatave”.

https://www.ynetnews.com/article/hj11rtyeyql