Kryeministri Edi Rama vizitoi Shtëpinë-Muze të Alfabetit Shqip në Manastir të Maqedonisë së Veriut, në 118-vjetorin e Kongresit që hodhi themelet e alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe. Nga vendi ku u mor vendimi historik, Rama vuri në dukje rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve përmes gjuhës dhe shkrimit, duke e lidhur këtë ngjarje me përgjegjësinë e brezit të sotëm për ruajtjen e shqipes.
Në mesazhin e tij, kryeministri bëri një krahasim mes vendimeve të marra në shumë shtëpi të historisë ballkanike dhe atyre që u morën në Manastir, ku përfaqësuesit shqiptarë u mblodhën për të përcaktuar një mënyrë të përbashkët shkrimi.
“Në historinë e Ballkanit ka plot shtëpi ku burrat, të rëndësishëm ose më pak të rëndësishëm, janë ulur rreth një oxhaku për të vendosur për një luftë, për një kufi apo për një gjak të marrë ose të falur. Ndërsa në këtë shtëpi, 118 vjet më parë, njerëzit u ulën rreth një tryeze për të vendosur si do t’i shkruanin njëri-tjetrit”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se mungesa e një alfabeti të përbashkët përbënte një pengesë të madhe për komunikimin mes shqiptarëve, por edhe për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare.
“Dhe nëse kjo ishte një telash për dy dijetarë që donin të shkruanin letra, merrni me mend se çfarë pengese ishte për një komb që nuk kishte shkolla, libra dhe asnjë gjuhë të shkruar bashkërisht për fatin e vet të përbashkët”, tha kryeministri.
Rama kujtoi se në Kongresin e Manastirit morën pjesë përfaqësues nga treva të ndryshme shqiptare, me përkatësi fetare, të folme dhe parapëlqime të ndryshme për shkronjat. Megjithatë, ata arritën të diskutonin dhe të gjenin një zgjidhje të përbashkët për alfabetin.
“Këtu erdhën në ato ditë njerëz malesh, luginash e brigjesh deti, që faleshin në mënyra të ndryshme, që e flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm dhe, kur vinte puna tek alfabeti, kishin parapëlqime krejt të ndryshme për shkronjat që do të merrnin përparësi”, u shpreh ai.
Një vëmendje të veçantë Rama i kushtoi edhe Parashqevi Qiriazit, e cila ishte pjesëmarrëse në Kongres dhe kontribuoi në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe. Ai kujtoi se Qiriazi vinte nga Shkolla e Vashave në Korçë dhe se një vit pas Kongresit botoi abetaren e saj.
“Mes burrave të këtij kongresi ishte edhe një grua e re nga ky qytet, Parashqevi Qiriazi. Ajo vinte nga Shkolla e Vashave në Korçë dhe një vit më pas botoi abetaren e saj. Sa herë flasim për ata që bënë historinë, mua më pëlqen të kujtoj këtë grua, e cila, me t’u mbyllur Kongresi, u ul të shkruante një libër. Shumë vite më vonë, Parashqevi Qiriazi u bë frymëzim edhe për ne, kur miratuam Abetaren e Përbashkët me qeverinë e Kosovës”, tha Rama.
Në fund, kryeministri u ndal te sfida e ruajtjes së gjuhës shqipe në ditët e sotme, veçanërisht në familjet shqiptare që jetojnë jashtë vendit. Ai theksoi se vlerësimi i figurave historike duhet të shoqërohet edhe me përpjekje konkrete për t’ua përcjellë gjuhën brezave të rinj.
“Sot është e lehtë t’i duartrokasim ata që bënë për gjuhën tonë punët e mëdha të së shkuarës, por pyetja pak më e vështirë është: çfarë pune na takon të bëjmë ne?”, theksoi Rama.
Si shembull të kësaj sfide, ai përmendi vështirësitë që hasin disa fëmijë shqiptarë në diasporë për të komunikuar në gjuhën e prindërve dhe gjyshërve.
“Ka sot një fëmijë shqiptar në diasporë që e kupton çdo fjalë që i thotë gjyshja në telefon, por kur do t’i tregojë çfarë i ndodhi në shkollë, i kërkon ndihmë mamit”, u shpreh kryeministri.


