Një incident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në futbollin shqiptar, gjatë ndeshjes Oriku-Kukësi, e vlefshme për Kategorinë e Parë. Futbollistët dhe pjesëtarë të stafit të skuadrës verilindore pretendojnë se janë dhunuar në ambientet e dhomave të zhveshjes gjatë pushimit mes dy pjesëve të takimit.

Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka nisur në momentin kur skuadrat janë larguar nga fusha për të shkuar në dhomat e zhveshjes. Aty, disa lojtarë dhe pjesëtarë të stafit të Orikumit dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj futbollistëve të Kukësit.

Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se, pavarësisht incidentit, pjesa e dytë e ndeshjes është zhvilluar normalisht. Takimi përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të Orikumit. Pas ngjarjes ka reaguar klubi i Kukësit, i cili ka dënuar ashpër aktet e dhunës dhe ka bërë të ditur se futbollistët e dëmtuar dhe përfaqësuesit e klubit kanë depozituar kallëzim në Policinë e Orikumit.

Në reagimin zyrtar, Kukësi pretendon se fillimisht një lojtar i Orikumit ka fyer dhe goditur pjesëtarë të stafit teknik, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar me përfshirjen e futbollistëve të tjerë të ekipit vendas. Klubi thekson se, pas dhunës së pretenduar dhe dëmtimeve të shkaktuara, lojtarët nuk kanë qenë në gjendje të rikthehen në fushë. Megjithatë, sipas tyre, zyrtarët e ndeshjes kanë këmbëngulur për vijimin e takimit, duke paralajmëruar masa disiplinore në rast refuzimi.

Reagimi i FK-Kukësit

Futboll Klub Kukësi dënon me vendosmëri aktet e dhunës së ndodhura gjatë pushimit të pjesës së parë të ndeshjes KF Oriku – FK Kukësi. Në momentin kur skuadrat po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, një prej lojtarëve të KF Orikut ka fyer dhe goditur pjesëtarë të stafit teknik të skuadrës sonë. Situata më pas ka agravuar, pasi edhe lojtarë të tjerë të ekipit vendas janë përfshirë në këtë incident, duke ushtruar dhunë fizike ndaj futbollistëve tanë dhe duke u shkaktuar dëmtime fizike, shenjat e të cilave janë qartësisht të dukshme.

Përballë kësaj situate, klubi ynë iu drejtua zyrtarëve të FSHF-së të pranishëm në ndeshje, konkretisht delegatit Sabri Kalleshi dhe vëzhguesit Arjan Mali, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre, shqyrtimin e pamjeve filmike dhe marrjen e masave për identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për këto akte dhune. Në kushtet e krijuara, pas dhunës së ushtruar dhe dëmtimeve fizike e psikologjike të pësuara nga pjesëtarët e skuadrës sonë, ishte e pamundur që futbollistët të riktheheshin në fushë dhe të vijonin normalisht ndeshjen. Në një situatë të tillë, nuk mund të flitej për kushte normale të zhvillimit të aktivitetit sportiv dhe, aq më pak, për respektimin e parimit të Fair Play.

Pavarësisht kërkesës sonë për të mos vijuar ndeshjen pa u sqaruar më parë ngjarja dhe pa u marrë masat e nevojshme, zyrtarët e ndeshjes këmbëngulën në rikthimin e skuadrës sonë në fushë, duke na bërë të ditur se në rast të kundërt do të merreshin masa disiplinore ndaj FK Kukësit, përfshirë humbjen e ndeshjes në tavolinë. Duke e konsideruar këtë ngjarje tepër të rëndë dhe të papranueshme, futbollistët e dëmtuar, së bashku me përfaqësuesit e klubit, kanë depozituar kallëzim pranë Stacionit të Policisë Orikum.

Gjithashtu, është kërkuar zyrtarisht ndjekja e të gjitha procedurave ligjore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. FK Kukësi kërkon nga organet kompetente të FSHF-së një shqyrtim të plotë dhe të paanshëm të incidentit, administrimin e pamjeve filmike dhe marrjen e masave përkatëse disiplinore ndaj të gjithë personave përgjegjës. Dhuna nuk ka vend në futboll. Siguria dhe integriteti fizik i futbollistëve dhe stafit duhet të jenë mbi çdo rezultat sportiv.