Shpopullimi i vendit po shpërfaq edhe një tjetër dimension social dramatik. Të moshuarit që fëmijët u kanë ikur jashtë vendit, po ndërrojnë jetë të vetmuar, ndërsa trupat e tyre po gjenden vetëm disa ditë më pas. Kështu ndodhi me Zhuljeta Ruvina në Pogradec, ndërsa strukturat sociale thonë se në këtë qytet jetojnë rreth 800 të moshuar pa asnjë pjesëtar tjetër në familje.
SYRI TV
Zhuljeta Ruvina, 79 vjeçe, u gjet e pajetë në banesën e saj në Pogradec, tri ditë pasi dyshohet se kishte ndërruar jetë. Mbrëmjen e së enjtes, fqinjët njoftuan policinë pasi prej tri ditësh nuk kishin dëgjuar prej saj. E moshuara jetonte vetëm gjatë muajve që kalonte në Pogradec, ndërsa pjesën tjetër të kohës qëndronte te fëmijët jashtë vendit.Një prej fqinjëve tregoi se mori vesh për vdekjen e 79-vjeçares kur policia mbërriti në banesë.
Drejtoresha e Shërbimit Social në Pogradec, Ivana Llakmanj, thotë se vetëm në qytet janë evidentuar rreth 800 të moshuar që jetojnë vetëm, ndërsa strukturat vendore nuk kanë kapacitete për t’u ofruar shërbim në banesë. Sipas saj, kërkesa për një qendër rezidenciale është e lartë dhe po shqyrtohet mundësia që një qendër e tillë t’i shërbejë gjithë qarkut të Korçës.
Në qarkun e Korçës ka mbi 60 mijë pensionistë. Edhe më parë janë raportuar raste të të moshuarve që jetonin vetëm dhe u gjetën të pajetë në banesë disa ditë pas vdekjes.
© SYRI.net