
Policia ka sekuestruar 35 piktura, të cilat një ekspert arti i ka identifikuar si falsifikime. Të dyshuarit pretendohet se kishin tentuar t’i shisnin ato si vepra origjinale të artistëve të njohur grekë dhe të huaj, për një vlerë totale prej 1.7 milionë eurosh.
Një 44-vjeçar u arrestua të shtunën në Athinë, ndërsa një i dyshuar i dytë, 49 vjeç, arkimandrit ortodoks që raportohet se shërben në një shtet të SHBA-së, vijon të jetë në kërkim. Policia thotë se kleriku administronte shitjet përmes një platforme të madhe online, duke përdorur një llogari me emrin “Ioannis”.
Hetimi nisi më 7 tetor, pas një kallëzimi për dy piktura që i atribuoheshin piktorit ekspresionist grek George Bouzianis, të cilat ishin reklamuar në internet të shoqëruara me certifikata autenticiteti. Personi që bëri kallëzimin, një specialist arti, dyshoi se veprat ishin pjesë e një operacioni më të gjerë falsifikimi, shkruan Ekathimerini.
44-vjeçari u arrestua pranë stacionit të metrosë Ambelokipi, teksa dyshohet se po përgatitej të shiste gjashtë piktura për 5,150 euro. Ai u tha policëve se i kishte marrë veprat nga i dyshuari i dytë, të cilin e njihte që prej vitit 2014.
Kontrollet në banesat e të dyshuarve çuan në zbulimin e 35 pikturave, si dhe të 2,750 eurove cash, 97 monedhave ari sovrane britanike, katër monedhave franceze prej ari dhe dy gurëve të çmuar.
Një historian dhe kritik arti shqyrtoi pikturat e sekuestruara dhe arriti në përfundimin se asnjëra prej tyre nuk ishte autentike. Edhe një ekspert i caktuar nga gjykata do të vlerësojë veprat dhe certifikatat e tyre të autenticitetit.
Të dy personat përballen me akuza, përfshirë trafikimin e veprave të falsifikuara të artit në rrethana rënduese, mashtrimin në rrethana rënduese dhe shkeljen e të drejtave të autorit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përmasat e plota të operacionit të dyshuar dhe nëse në të janë përfshirë edhe persona të tjerë.