Kryetari i Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka denoncuar gjendjen e rëndë të rrugës kryesore në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, ku sipas tij, infrastruktura është lënë prej kohësh në degradim të plotë.
Përmes një videoje nga terreni, Kalaja tregon dhjetëra gropa përgjatë aksit rrugor, duke theksuar se në këtë rrugë kalojnë çdo ditë edhe fëmijët që frekuentojnë shkollën dhe kopshtin e fshatit.
Sipas numërimit të bërë prej tij, nga hyrja e Zallës deri te shkolla janë plot 80 gropa, ndërsa situata rëndohet edhe nga papastërtitë dhe problemet e mëparshme me tubacionet e ujërave të zeza.
Kalaja: Ju përshëndes të gjithëve, ndodhem në Zallë, aty ku është kopshti dhe shkolla e Zallës, ku mësojnë fëmijët e vegjël. Kjo rrugë është në këtë gjendje prej shumë e shumë kohësh. Këtu kalojnë të gjitha makinat. Të shohim si do i duhet të kalojnë makinat, nuk është vetëm kjo pjesa e prishur por po të shikojmë të gjithë gjatësinë e rrugës gjendja është në këtë lloj forme. Më përpara kishin plasur edhe tubacionet e ujërave të zeza. Imagjinoni një fëmijë që del nga shkolla apo kopshti, rrëzohet dhe infektohet.
Zalla është një nga fshatrat më të populluar të Fushë Krujës, i ka dhënë fabrikën e çimentos ku janë punësuar njerëz, por duron ndotjen dhe ka këtë situatë me rrugën, kjo është rruga kryesore e fshatit, tani këta meqë po hedhin asfalt uroj që të shtrojnë dhe këtë rrugën.
Tani do numërojmë gropat nga ura e Zallës deri te lapidari i Shote Galicës. Pra kemi gjithësej 80 gropa nga hyrja e Zallës deri te shkolla e Zallës te ura. Këto janë papastërtitë që hidhen dhe ky është fluksi i makinave dhe kjo është pjesa e tjetër e lagjes së Zallës sigurisht dhe rrugica të tilla. Jemi në hyrjen e fshatit Zallë një fshat shumë i rëndësishëm i Fushë Krujës, Bashkia Krujë, janë gjithësej 80 gropa ne i numëruam për të hyrë në fshatin Zallë.













