Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke theksuar se gjuha është një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar dhe dëshmi e qëndresës së shqiptarëve ndër shekuj. Në mesazhin e saj, presidentja ka kujtuar se përpjekjet për liri ishin të lidhura ngushtë edhe me mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të drejtën për ta përdorur atë lirshëm. “Alfabeti i gjuhës shqipe është dëshmi e qëndresës sonë dhe e përpjekjes për ruajtjen e identitetit kombëtar. Lufta jonë për liri u bë edhe për gjuhën shqipe, për të drejtën për ta folur dhe shkruar atë lirshëm”, ka theksuar Shiroka Pula. Ajo ka përkujtuar edhe Kongresin e Manastirit të vitit 1908, duke shprehur mirënjohje për delegatët që kontribuuan në unifikimin e alfabetit shqip. “Sot, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje 50 delegatët nga 26 qytete, shoqata dhe klube shqiptare, të cilët në Kongresin e Manastirit, më 1908, u bashkuan për një nga vlerat themelore të identitetit tonë kombëtar, gjuhën shqipe”, ka shkruar presidentja. Shiroka Pula ka bërë thirrje që kjo trashëgimi të ruhet, të pasurohet dhe t'u përcillet brezave të ardhshëm. “Përgjegjësia jonë është ta ruajmë, ta pasurojmë dhe t'ua përcjellim brezave këtë trashëgimi me dinjitet dhe përkushtim. Ajo është trashëgimia jonë e përbashkët dhe një nga dëshmitë më të fuqishme të qëndresës sonë ndër shekuj”, ka theksuar ajo. Presidentja e ka përmbyllur mesazhin me urimin: “Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”.