Grand Theft Auto VI u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm në mbarë botën, ndërsa lansimi i tij, 13 vjet pas GTA V, u konsiderua një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e industrisë së videolojërave. Loja duket se ka përmbushur pritshmëritë e fansave dhe, sipas raportimeve, në ditën e parë arriti një shifër rekord prej 3.79 miliardë dollarësh në shitje me pakicë. Projektimi i zhvillimit të saj ka kushtuar mbi 1 miliard dollarë.
Seriali i lejon lojtarët të jetojnë fantazitë e gangsterëve: të shkatërrojnë makina, të luftojnë me këdo që duan dhe të veprojnë brenda një qyteti të imagjinuar amerikan, të populluar nga personazhe të ndryshëm si njerëz të ulët, punonjëse seksi dhe banditë. Sfondi i lojës është i frymëzuar nga qyteti amerikan i Miami-t, dhe kjo lidhje ka shtuar interesin dhe rezonancën lokale midis banorëve që e njohin atmosferën e qytetit. Një përdorues, Ryan Jones, përshkroi lojën si “kinematografike” dhe si “fillimin më të mirë që kanë pasur ndonjëherë”, duke thënë se si banor i Miami-t ndjeu një ndjesi të vështirë për tu përshkruar nga realizimi që pa.
Publikimi i GTA VI gjeneroi më shumë postime në rrjetet sociale sesa Kupa e Botës të këtij viti, sipas platformës së monitorimit Visibrain, dhe pamjet e agjencisë AFP nga vende të ndryshme tregojnë entuziazmin e përdoruesve. Në Evropë, fansat organizuan festime, transmetime live dhe aktivitete për lançimin. Në Japoni, disa kompani i dhanë punonjësve ditë pushimi për ta luajtur, ndërsa në Australi raportohet se disa lojtarë morën pushime nga puna për t’iu përkushtuar lojës. Edhe disa politikanë publikuan pastime të frymëzuara nga GTA.
Megjithatë, krahas entuziazmit dhe suksesit komercial, loja ka marrë edhe kritika, kryesisht në lidhje me ndikimin potencial në shoqëri të skenave ekstreme të dhunës që përmban.

